Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, është deklaruar në lidhje me sulmin që është bërë në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se është e vështirë të gjinden dëshmi të caktuara, megjithatë, ai ka shtuar edhe se dëshmitë që i kanë deri tani janë komunikimet që kanë ndodhur para sulmit.
Këto komente Bislimi i ka dhënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku ka shtuar edhe se është e pamundshme që Serbia të bëhet pjesë e hetimeve.
“Sulmi terrorist ka ndodhur në kanalin që sjell ujë, dhe do të jetë e vështirë që në vendin e krimit të gjenden dëshmi të caktuara. Dëshmitë që ne kemi lidhen me komunikimet që kanë ndodhur para sulmit dhe ndoshta pas tij, të cilat kërkojnë një natyrë tjetër të forenzikës. Do të ishte e palogjikshme që, në këtë fazë, adresa kryesore të cilës i atribuohet krimi të bëhej pjesë e hetimit. Prandaj, është e pamundshme që hetuesit nga Serbia të bëhen pjesë e hetimeve, dhe për këtë nuk ka nevojë. Institucionet tona kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtarisht, por jo nga Serbia”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka thënë edhe se është më rëndësi që të analizohet qëllimi primar i këtij sulmit, dhe se të gjitha informacionet dërgojnë te Serbia.
“Sulmi terrorist që ka ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit nuk duhet të bëhet një test i aftësisë së Kosovës për të dëshmuar kryesin e krimit dhe aftësisë së Serbisë për të kryer një krim perfekt. Të gjitha informacionet që kemi dërgojnë vetëm tek një adresë, dhe mendoj se do të ishte e palogjikshme të merremi tani me pyetjen nëse ka dëshmi të mjaftueshme apo jo. Ajo që është me rëndësi është të analizohet qëllimi primar i këtij sulmi: A ka qenë vetëm dëmtimi i kanalit, apo ka qenë synimi që të shkatërrohej ai në tërësi, për t’u pamundësuar furnizimi me energji elektrike, ujë dhe komunikime, apo ka qenë vetëm synimi që të tregohet se Serbia ka ende potencial për të destabilizuar Kosovën”.