Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Bislimi para zgjedhjeve në SHBA: Kosova asnjëherë s’duhet të dalë nga orbita e interesave gjeostrategjike amerikane

Bislimi para zgjedhjeve në SHBA: Kosova asnjëherë s’duhet të dalë nga orbita e interesave gjeostrategjike amerikane

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka shkruar për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin që rezultati i zgjedhjeve do ta ketë për Kosovën dhe shqiptarët.

Bislimi në një shkrim autorial, rëndësi të veçantë i ka kushtuar krijimit të shumicës në Kongres. Sipas tij, nëse demokratët do të arrijnë të ruajnë ose të fitojnë shumicën në të dy dhomat e Kongresti, atëherë shqiptarët do të përfitojnë përkrahje më të qëndrueshme dhe më të plotë.

“Demokratët tradicionalisht kanë qenë të angazhuar për promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në mbarë botën, dhe kanë treguar një përkushtim të qëndrueshëm ndaj Kosovës. Me shumicën e tyre në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, politikat që mbrojnë sovranitetin e Kosovës do të kishin më shumë mundësi të kalojnë, dhe përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të Kosovës do të forcoheshin. Një Kongres nën udhëheqjen e Demokratëve do të mundësonte gjithashtu që mbështetja financiare dhe diplomatike për Kosovën të ruhej dhe të rritej”, ka shkruar Bislimi në një shkrim autorial, raporton Gazeta Express.

Ndërsa sipas Bislimit, nëse shumica në njërën ose në të dyja dhomat e kongresit, fitohet nga Republikanët, atëherë përkrahja për Kosovën do të fokusohej më shumë në marrëveshjet ekonomike dhe më pak në çështjet e sovranitetit.

“Ndonëse disa Republikanë kanë treguar mbështetje për Kosovën, politika e përgjithshme e partisë për Ballkanin gjatë administratës Trump ka qenë më e paqëndrueshme dhe më e fokusuar në marrëveshje pragmatike, ku mund të mungojë mbështetja afatgjatë dhe e palëkundur që Kosova ka kërkuar nga SHBA”, shton Bislimi.

Bislimi thotë se për shqiptarët dhe për Kosovën, nëse Kongresi do të jetë i kontrolluar nga demokratët, atëherë ka shpresa për një angazhim më të madh nga SHBA në Ballkan dhe për stabilitetin afatgjatë të Kosovës si shtet i pavarur.

“Me shumicën e Demokratëve, Kosova mund të presë një mbështetje më të fortë në përballjen me sfidat ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet e Rusisë dhe të Serbisë për të ndikuar në rajon. Një Kongres i tillë do të përpiqet të rrisë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik midis Kosovës dhe SHBA-së dhe të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, shkruan Bislimi.

Bislimi thotë se nëse do të ndodh që Republikanët të fitojnë shumicën, atëherë politika ndaj Kosovës mund të jetë e përqendruar më shumë në marrëveshje pragmatike ekonomike dhe në qasje që minimizojnë angazhimet afatgjata në Ballkan.

“Një fitore e Republikanëve në Kongres do të mund të çonte drejt një rishikimi të përkrahjes strategjike, duke lënë hapësirë për lëshime të mundshme ndaj Serbisë dhe duke krijuar një presion më të madh mbi Kosovën për të bërë kompromis në çështje themelore të sovranitetit. Krejt kjo, nën supozimin se një Administratë Trump fokusin do e kishte tek Rusia dhe lufta me Ukrainën, respektivisht përfundimi i saj i menjëhershëm”, shprehet ai.

Sa i përket qasjes që dy palët mund ta kenë sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Bislimi thotë se qasja e Ëashingtonit mund të ndryshojë nëse do të ketë ndryshim të qeverisjes në SHBA.

Bislimi thotë se demokratët janë multilateristë dhe duan të kryejnë punë duke provuar të kënaqin të gjithë, derisa republikanët s’mërziten shumë për të tjerët dhe fokusohen në përmbushjen e objektivave të tyre.

Bislimi këshillon klasën politike kosovare dhe shtetin eKosovës që të jenë të gatshëm në ruajtjen e raporteve me të dy partitë në SHBA.

“Këto janë atribute ideologjike të dy taborreve kryesore politike ne SHBA. Andaj, neve si klasë politike dhe shtet, duhet të jemi të gatshëm qe të vazhdojmë e ruajmë marrëdhënjen tonë me SHBA në cilindo variant. Dallime mund të kemi, por ato kurrë s’duhet të bëhen hendek në marrëdhenjet Kosovë-SHBA ngase edhe nëse ne kemi të drejtë, fatkeqësisht në kohën e zhvillimeve dinamike ndërkombëtare në të cilën jemi tash, pragmatizmi dhe interesat madhore gjeostrategjike te SHBA-ve marrin prioritet. Kosova asnjëherë s’duhet të dalë nga orbita e interesave gjeostrategjike amerikane ngase është pikerisht kjo orbite që na solli deri tek liria e pavarësia.”, ka shkruar Bislimi.

 

Powered by WordPress