Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ndodhet në Downing Street për bisedime me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Udhëheqësit po diskutojnë planin e fundit të paqes në Ukrainë, të hartuar gjatë bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë në Florida javën e kaluar, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Starmer e siguroi Zelenskyn për mbështetjen britanike, si në konflikt, ashtu edhe në negociata.
“Nëse do të ketë një armëpushim, atëherë ai duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm; prandaj është kaq e rëndësishme që ne të përcaktojmë vazhdimisht parimin se çështjet në lidhje me Ukrainën janë për Ukrainën. Ne qëndrojmë këtu për t’ju mbështetur në konflikt dhe për t’ju mbështetur në negociata.”
Ndërsa Zelensky shtoi se uniteti midis Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së është i rëndësishëm kur negociohet përfundimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Ka disa gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët, gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa Evropën. Kjo është arsyeja pse duhet të marrim disa vendime të rëndësishme.”