Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin mund të kenë pasur më shumë kontakte në muajt e fundit sesa është njoftuar zyrtarisht.
Deri më tani, dy biseda telefonike midis Putin dhe Trump janë konfirmuar publikisht këtë vit – më 12 shkurt dhe 18 mars – por spekulimet janë shfaqur për kontakte më të shpeshta, duke përfshirë pretendimet se të dy liderët po komunikonin edhe para fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale 2024.
I pyetur për deklaratat e fundit të Trump që sugjeronin se kishte më shumë bisedime, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u përgjigj: “Dëgjoni, ne po ju informojmë për bisedimet për të cilat dimë. Por ne nuk mund të përjashtojmë çdo gjë tjetër.”
Trump tha më herët për Washington Examiner se ai ka biseduar me Putin prej javësh.
I pyetur nga televizioni shtetëror rus nëse ishte e mundur që të kishte biseda të tjera sekrete, Peskov tha: “Kështu do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje”.
Peskov konfirmoi se një shkelje e re e marrëveshjes ukrainase mund të jetë një arsye për një tjetër bisedë Putin-Trump.
“Absolutisht. Presidentët konfirmuan synimin e tyre për të vazhduar kontaktet sipas nevojës.”
Peskov tha se biseda e fundit Putin-Trump ishte “një hap drejt një takimi ballë për ballë”, duke shtuar se bisedimet Rusi-SHBA ishin gjithashtu pjesë e këtij procesi.
Kontaktet kanë shqetësuar disa liderë evropianë që kanë frikë se SHBA mund t’i kthejë shpinën Evropës në një përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë që do të përfshinte çështjet e naftës, Lindjen e Mesme dhe rivalitetin me Kinën, transmeton KosovaPress.