Përgjimi i shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka ngjallur reagime të shumta në skenën politike në vend, raporton TV Arbëria.
Mimoza Kusari-Lila në këto përgjime dëgjohet duke biseduar me Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe po ashtu i njëjti mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Shefja e VV-së në kohën kur u publikuan përgjimet me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, e mohonte se kishte biseduar me Radoiçiq.
Mbi këtë situatë për TV Arbëria ka folur analisti politik, Shemsi Jashari, i cili thotë se ky përgjim është një dëshmi se kjo Qeveri ka humbur legjitimitetin, dhe se sa më parë duhet të dorëhiqet.
“Publikimi i një bisede në mes të shefes se grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusarit dhe krye terroristit Milan Radiojçiq, është edhe një dëshmi shtesë që kjo Qeveri ka humbur legjitimitetin dhe sa më parë duhet të jap dorëheqje”, ka thënë analisti.
Jashari tutje potencon se është shqetësuese mënyra se si shefja e LVV-së flet me kryeterroristin që sulmoi territorin e Kosovës.
“Është shqetësuese rehatia dhe komoditeti i bisedës që peërfaqsuesja e LVV-së, bënë me një kryeterrorist që sulmon territorin e kosovës me banda terroristësh ku u vra Afrim Bunjaku polic i Kosovës. Aty u konfirmua se bisedohej edhe për çështje private e lëre më për çështje zyrtare. Kordinimi i LVV-së, duket se ka përmasa shqetësuese dhe prokuroria speciale duhet t’i zgjerojë hetimet dhe të përfshijë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe kuvendit”, tha Jashari.
Analisti komenton dhe deklaratat e dikurshme të Kusarit, ku i mohonte pretendimet se kishte folur me Radoiçiq, si dhe thotë se kjo çështje duhet të mirret me urgjencë pasi është cenuar siguria kombëtare.
“Është e turpshme genjeshtra publike e znj.Kusari kur deklaronte rrejshëm për temën e njejtë.
Ka elemente të mjaftueshme të dyshimit të bazuar se është cenuar siguria kombëtare prandaj veprimet që duhet të mirren janë të natyrës urgjente”, potencoi Shemsi Jashari për TV Arbëria.
Biseda mes Kusarit dhe Radoiçiq është zhvilluar në muajin qershor të vitit 2022. /TV Arbëria
Dikur e mohoi shefja e VV-së, Kusari-Lila, publikohet përgjimi i saj me Milan Radoiçiq