Pasi rigjeti tifozët, derbi synon të kthejë edhe stadiumin e mbushur me kapacitet të plotë. Supersfida e së dielës, ku Tirana luan përballë Partizanit është rasti ideal që pas shumë muajve, Arena Kombëtare të jetë me kapacitet maksimal për spektatorët edhe në kampionat.
Falja e Tiranës dhe hapja e dyerve për tifozët ka ndikuar në rritjen e interesit për derbin, shkruan A2. Për të dhënë kontribut në këtë drejtim, shërbejnë edhe biletat. Çmimet e përcaktuara për kryendeshjen e javës së 15-të në Kategorinë Superiore janë ekonomike.
Në tribunat pas portave biletat kushtojnë vetëm 500 lekë të reja. Aty pozicionohen tifozeritë ultras të dy skuadrave. Ndërkohë, karshija ka çmim të unifikuar prej 1,000 lekësh, ndryshe nga ndeshja e parë ku pjesa qëndrore kushtonte 1,500 lekë.
Në tribunën VIP çmimet e biletave variojnë nga 3 deri në 5,000 lekë të reja. Derbi Tirana-Partizani do të luhet këtë të diel, në orën 19:00 në Arenën Kombëtare.