Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Bild” mbrëmë raportoi gabimisht për 11 viktima nga sulmi në Gjermani

“Bild” mbrëmë raportoi gabimisht për 11 viktima nga sulmi në Gjermani

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e së premtes qytetin Magdeburg të Gjermanisë, kur një veturë që po lëvizte me shpejtësi është përplasur në turmën e njerëzve në një treg të Krishtlindjeve, duke shkaktuar viktima të shumta.

Sipas informacioneve të para, Taleb al-Abdulmohsen, i dyshuari i arrestuar për sulmin në Magdeburg ishte mjek 50-vjeçar i psikiatrisë dhe psikoterapisë në Bernburg.

Nga ky sulm raportohet të kenë vdekur së paku dy persona, ndërsa të lënduar janë rreth 70.

Por mbrëmë, gazeta gjermane “Bild” raportoi për “të paktën 11 të vdekur” në Magdeburg.

Ky raportim del të jetë i pasaktë, pasi asnjë institucion zyrtar gjerman nuk e ka konfirmuar një shifër të tillë.

Madje, linku i lajmit të “Bild” që e raportoi këtë shifër, tashmë nuk ekziston, së paku në rrjetin social Facebook.

Por, raportimi i gazetës gjermane është cituar gjithandej, si në mediat ndërkombëtare, ashtu edhe në mediat tona.

“Yahoo News” e ka ndjekur ngjarjen me përditësime të vazhdueshme. Në disa raste është cituar edhe “Bild”, më saktësisht edhe lajmi kur raportoi gabimisht për 11 viktima.

Po ashtu, edhe agjencia austriake e lajmeve “APA” e ka transmetuar lajmin e publikuar nga “Bild”, sikurse edhe media tjera austriake.

Lajmin për 11 viktima e transmetoi edhe Insajderi, duke iu referuar “Bild”-it.

Deri më tani janë konfirmuar vetëm dy viktima.

Themes by WordPress