Rusia i ka sulmuar rajonet e Ukrainës me një breshëri raketash nga ajri më 8 janar, duke i plagosur tetë njerëz dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe objektet ekonomike, thanë zyrtarët ukrainas.
U raportua për shpërthime të shumta në rajonet si, Harkiv, Dnipro, Kriv Rih, Hmelnitski dhe Zaporizhja.
“Mëngjesi nis me një shpërthim në qytet”, tha Ihor Terekhov, kryetar i Harkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, duke iu bërë thirrje qytetarëve të strehohen.
Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se qyteti u godit nga të paktën katër raketa, të cilat e dëmtuan një ndërmarrje industriale dhe një institucion arsimor. Dy njerëz u plagosën dhe dy të tjerë kanë ngecur nën rrënoja, tha ai.
Guvernatori Yuriy Malashko raportoi për pesë shpërthime në Zaporizhja, dhe shtoi se së paku dy njerëz u plagosën si pasojë e sulmeve të cilat gjithashtu i dëmtuan zonat e banimit.
Në Krivi Rig, Oleksandr Vilkul, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, tha se qyteti është duke u përballur me sulme të mëdha ajrore.
Së paku gjashtë shpërthime u raportuan në rajonet Hmenlnitski dhe Dnipro.
Ndërkohë, Vyacheslav Gladkov, guvernator i rajonit rus, Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën, tha se rreth 300 qytetarë janë evakuuar vullnetarisht nga qyteti i Belgorodit, pas sulmeve që Ukraina po i kryen matanë kufirit.
“Rreth 300 qytetarë të Belgorodit, të cilët vendosën të largohen, janë vendosur përkohësisht në qendrat e akomodimit në Stari Oskol, Gubkin dhe Koroçanski [në rajonin e Belgorodit]”, tha Gladkov.
Më 30 dhjetor, zyrtarët rajonalë të Belgorodit thanë se nga sulmet ukrainase në këtë qytet u vranë 25 njerëz.
Ukraina e sulmoi qytetin rus si përgjigje ndaj sulmeve të mëdha raketore të Rusisë më 29 dhjetor në Ukrainë, ku u vranë dhjetëra njerëz