Presidenti amerikan, Joe Biden reagoi për herë të parë ndaj deklaratave të Donald Trumpit se nuk do të mbronte anëtarët e NATO-s nëse i sulmonte Rusia.
Duke iu referuar deklaratave të ish-presidentit amerikan, Biden tha nga Shtëpia e Bardhë se pikëpamjet e 77-vjeçarit ishin tronditëse.
“A mund ta imagjinoni ish-presidentin e SHBA-së ta thotë këtë? E gjithë bota e ka dëgjuar. Gjëja më e keqe është se ai e ka ndërmend ta bëjë”, tha ai.
Biden gjithashtu deklaroi se kundër kandidati i tij i mundshëm për zgjedhjet presidenciale është simpatik për presidentin rus, Vladimir Putin, raporton theguardian.
“Asnjë president tjetër në historinë tonë nuk është përkulur para një diktatori rus. Më lejoni ta bëj këtë sa më qartë që të mundem. Nuk do ta bëj kurrë. Për hir të Zotit, është marrëzi. E turpshme. E rrezikshme. Joamerikane”, pohoi 81-vjeçari.
Demokrati gjithashtu thekson se NATO është një detyrim i shenjtë për Amerikën.
“Kur Amerika jep fjalën e saj, kjo do të thotë diçka. Ne e konsiderojmë NATO-n një detyrim të shenjtë. Donald Trump e sheh këtë si një barrë. Për të, parimet nuk janë kurrë të rëndësishme. Gjithçka është transaksionale”, përfundoi Biden.
Ndryshe, Trump kishte deklaruar se do ta inkurajonte Rusinë që të bombardojë vendet që nuk ndajnë për mbrojtjen 2 për qind të të ardhurave të tyre kombëtare. /Telegrafi/