Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Biden priti Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, krejt çka u diskutua në takim

Biden priti Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, krejt çka u diskutua në takim

Presidenti Joe Biden priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për diskutime lidhur me mbështetjen amerikane për luftën e Kievit kundër pushtuesit rus.

Biden theksoi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të jetë e suksesshme.

“Ukraina do t’ia dalë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap”, tha Biden.

Gjatë një takimi të veçantë me Zelenskyn, nënpresidentja Kamala Harris, kandidate e Partisë Demokrate për Shtëpinë e Bardhë, përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane në përpjekjet e Kievit kundër agresionit rus, ndërsa theksoi se i takon Ukrainës të vendosë se si do të përfundojë lufta.

Pa përmendur emrin e tij, Harris e kritikoi kandidatin republikan për nënpresident, JD Vance, propozimi i të cilit për t’i dhënë fund luftës do ta linte Ukrainën me territor të gjymtuar dhe larg anëtarësimit në NATO.

“Këto propozime janë të njëjta me ato të Putinit. Që të jemi të qartë, ato nuk janë propozime për paqe. Ato janë propozime për t’u dorëzuar, çka është e rrezikshme dhe e papranueshme”, tha ajo.

Ndërkohë, presidenti Biden njoftoi të enjten një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën që ka një vlerë prej më shumë se 8 miliardë dollarësh.

Udhëheqësi amerikan e shfrytëzoi vizitën e presidentit Zelensky për të demonstruar mbështetjen amerikane për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Ndihma ushtarake përfshin dërgesën e parë të bombave të modelit “Joint Standoff Weapon” me rreze veprimi deri në 130 kilometra.

Maja e kësaj bombe është pajisur me një udhëzues me rreze lazër ose kamera që dërgon të dhëna në një kompjuter mbi vendndodhjen e objektivit. Pas marrjes së sinjalit, kompjuteri i dërgon komanda bombës e cila shfrytëzon krahët e montuar për të shkuar drejt objektivit.

Këto bomba me rreze të mesme veprimi përmirësojnë aftësitë e Ukrainës për t’i goditur forcat ruse nga një distancë më e sigurte për trupat ukrainase. Hedhja e bombave duhet të bëhet nga avionët luftarakë.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se presidenti Biden nuk do të njoftojë se Uashingtoni do ta lejojë Ukrainën që të përdorë bomba amerikane për të goditur objektiva në thellësi të Rusisë, raporton VOA.

Powered by WordPress