Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Biden denoncon sërish përhapjen e dezinformimit pas uraganit të dytë

Biden denoncon sërish përhapjen e dezinformimit pas uraganit të dytë

Gjatë një takimi informues në Shtëpinë e Bardhë për përpjekjet për përballimin e dëmeve nga Uragani Milton, Presidenti Joe Biden paralajmëroi për përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit, që ai e quajti “të rrezikshëm”, në lidhje me reagimin e qeverisë federale ndaj stuhive më të fundit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga gazetarët, Presidenti Biden tha se informacioni fals dëmton personat që kanë më shumë nevojë për ndihmë. “Vejushat, njerëzit nëpër spitale, personat që janë të vetëm dhe nuk kanë dijeni, e humbasin kontaktin dhe tremben për vdekje”, tha ai.

“Po nxjerrim të vërtetën”, shtoi ai, duke vënë në dukje se thirrjet e tij për të ndalur përhapjen e dezinformimit janë mbështetur nga guvernatorë dhe kryebashkiakë republikanë.

Ish-Presidenti Donald Trump, kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, akuzohet se ka përhapur dezinformata në lidhje me reagimin e qeverisë, ndër të tjera edhe se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) ka kufizuar shumën e ndihmës për të mbijetuarit në 750 dollarë dhe se fondet për amerikanët janë duke u përdorur për strehimin e emigrantëve të paligjshëm.

“Mendoj se ata që kanë përhapur këto gënjeshtra në përpjekje për ta dëmtuar opozitën do të paguajnë një çmim për këtë”, tha Presidenti Biden, duke shtuar se ish-Presidenti Trump nuk është i vetmi që duhet fajësuar, por se është “më i zëshmi”.

Presidenti Biden informoi për reagimin e qeverisë federale ndaj uraganëve Milton dhe Helene, ndërsa përkrah tij gjendeshin sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm dhe sekretari i Sigurisë Alejandro Mayorkas. Pjesëmarrëse me një lidhje videofonike në takim ishte Nënpresidentja Kamala Harris, e cila ndodhet në Arizona për një aktivitet elektoral.

Nënpresidentja Harris duke folur nëpërmjet një lidhjeje videofonike (11 tetor 2024)
Nënpresidentja Harris duke folur nëpërmjet një lidhjeje videofonike (11 tetor 2024)

Nënpresidentja Harris paralajmëroi sërish se kompanitë po shfrytëzonin stuhitë për të rritur fitimet e tyre.

“Kompanitë apo individët që po e përdorin këtë krizë për të rritur në mënyrë të paligjshme çmimet, qoftë tek karburanti, në aeroport apo në hotele, ne do të jemi duke i monitoruar dhe do të ketë pasoja”, tha ajo.

Viktimat nga Uragani Milton

Autoritetet në Florida thanë të premten se Uragani Milton ka shkaktuar të paktën 16 viktima dhe se mbi 2 milionë persona vazhdonin të ishin pa energji, ndërkohë që të evakuarit kanë filluar rikthimin në shtëpitë e tyre për të parë dëmet dhe për të pastruar mbetjet.

Faqja në internet poweroutage.us tregonte të premten se rreth 2.3 milionë banorë nuk furnizoheshin me energji elektrike. Deri të enjten vonë, Presidenti Biden tha se mbi 50 mijë punonjës dhe mbi 1 mijë zyrtarë federalë gjendeshin në terren.

Stuhia mbërriti në tokë në orët e vona të së mërkurës, në Siesta Key në Qarkun Sarasota, me fuqinë e një uragani të kategorisë 3, me erëra maksimale të vazhdueshme prej 205 kilometrash në orë. Ajo la pas një vazhdë shkatërrimesh përmes Floridas qendrore, duke dëmtuar shumë komunitete që ende po pastronin territorin nga dëmet e uraganit Helene të dy javëve më parë.

Mediat lokale raportuan se mbi 19 tornado u krijuan që përpara se uragani të arrinte tokën. Tornadot mendohet se shkaktuan disa nga viktimat.

Zyrtarët e qeverisë dhe Garda Kombëtare e Floridas raportuan se mbi 1000 persona u shpëtuan që kur stuhia mbërriti në tokë.

Në Clearwater, Florida
Në Clearwater, Florida

Zyrtarët shtetërorë thanë se ndërsa vlerësimet totale të dëmeve janë ende duke u bërë, stuhia mund të kishte qenë shumë më e keqe. Tampa, që ka një përqëndrim të lartë të popullsisë, u kursye nga një goditje e drejtpërdrejtë dhe nuk ndodhi stuhia që parashikohej të ishte në nivele rekord.

Ndërkohë, shkencëtarët thanë se ndryshimi i klimës e bëri uraganin Milton më të fortë dhe më të rrezikshëm.

Në një raport të publikuar të premten, organizata jofitimprurëse “Weather Attribution” tha se uragani Milton pati një “intensifikim shpërthyes”, nga një stuhi tropikale, në një stuhi të kategorisë 5, brenda 24 orëve.

Organizata tha se intensifikimi i shpejtë u nxit dhe u mbështet nga temperaturat shumë të larta të sipërfaqes së detit në Gjirin e Meksikës./VOA

Powered by WordPress