Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > BIA ka pasur gisht në orkestrimin e dhunës së marsit 2004

BIA ka pasur gisht në orkestrimin e dhunës së marsit 2004

Shkruan: Arben Fetoshi

Çfarë kishte nisur sot 21 vjet më parë?

Ato që njihen si Trazirat e Marsit (2004), kur gjatë tri ditëve (deri më 19 mars) u vranë 11 shqiptarë e 8 serbë, u lënduan qindra qytetarë e dhjetëra policë dhe u shkatërruan shumë prona e monumente, përfshirë disa objekte fetare, krahas pasojave në procesin Ahtisari (2007) me decentralizimin, “domosdoshmërinë” e mbrojtjes së trashëgimisë fetare serbe (zonat e mbrojtura) dhe privilegjet e tjera për pakicën serbe (gjuha zyrtare, sistemi paralel), janë përdorur edhe si pikë kthese nga Beogradi për “propagandën e viktimës” (pogromi i marsit).

Duke e kalkuluar frustrimin e qytetarëve shqiptarë ndaj UNMIK-ut për shkak të zvarritjes së statusit politik – të cilin këto ngjarje gjithsesi e përshpejtuan – “dikush” e provokoi zemërimin publik pas tragjedisë në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ku dy fëmijë shqiptarë u mbytën në lumë derisa po iknin nga një grup serbësh që i ndiqnin me qenë (nuk u identifikuan kurrë).

Dikush tjetër mbase qe mashtruar nga euforia e turmës, por ende mbetet i paqartë orientimi i protestusve drejt kishave e manastireve, ndonëse ishte raportuar për “organizatorë” me të kaluar të dyshimtë si kolaboracionistë të Serbisë. Sipas burimeve të pavarura, hetimet kanë treguar se BIA ka pasur gisht në orkestrimin e dhunës.

Megjithatë, as drejtësia e kohës së UNMIK-ut dhe as ajo më pas nuk e zbardhi deri në fund, por efektet e atyre ngjarjeve e dëmtuan rëndë Kosovën.

Cilit shqiptar do t’i interesonte shkatërrimi i disa kishave – diçka që s’kishte ndodhur kurrë më parë, as gjatë luftës 1998/1999 – për t’u përdorur si pretekst nga Serbia që ato të kenë “eksterritorialitet” brenda Kosovës?

Kujt përveç Serbisë i intereson që ta pengojë integrimin e qytetarëve serbë – për shkak të parimit të multietnicitetit – si një mjet për ta sabotuar Republikën e Kosovës?

Edhe sot, ajo po e bën të njëjtën me gënjeshtra e narrativa mashtruese, duke evokuar këtë ngjarje si “pogrom ndaj serbëve në Kosovë dhe duke i portretuar shqiptarët si agresorë”.

Një luftë hibride që ka për qëllim ta minojë sigurinë dhe stabilitetin si strategji për ta penguar konsolidimin e shtetit, përballë të cilës sot Ministria jonë e Jashtme reagon e “fjetur”.