Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Betejat kushtetuese të opozitës me pushtetin në vitin 2023

Betejat kushtetuese të opozitës me pushtetin në vitin 2023

Ky vit ashtu sikur edhe ai pararendës në masë të madhe u karakterizua nga betejat kushtetuese dhe juridike të opozitës me pushtetin.

Në muajt e parë të fillim vitit, Partia Demokratike e Kosovës e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin NR. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme, me arsyetimin se si i tillë ai bie ndesh me rendin demokratik dhe kushtetues të Kosovës.

I njëjti deri më tani nuk ka marrë ende epilog. Ndërkohë sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti po të mos ishte opozita që e ka bllokuar këtë ligj me këtë akt, lufta kundër korrupsionit do të kishte shënuar tjera nivele.

Pa kaluar shumë kohë nga kjo ngjarje, po kjo parti në mars të vitit 2023 e fitoi një betejë tjetër pranë këtij institucioni.

Institucioni më i lartë juridik në vend i shpalli si antikushtetues shumë nene të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Sipas verdikitit të Gjykatës, katër nene të këtij ligji i cenonin gjashtë nene të Kushtetutës. Për subjektin më ta madh opozitar përmes kësaj fitore Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur i drejtësisë, nuk do të ketë raport as vartësie e as varësie me shumicën parlamentare ose me pushtetin.

Shkeljet serike të Kushtetutës nga ky pushtet u konfirmuan edhe me shpalljen si kundërkushtetues të vendimit të marrë nga shumica parlamentare në korrik të vitit 2021 për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të bordit të RTK-së.

Gjykata në gusht të këtij viti konstatoi se ai vendim ka shkelur garancitë për pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik. Për më shumë, shkarkimi i Bordit të RTK-së, sipas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, ka cenuar jo vetëm pavarësinë e transmetuesit publik, por edhe parimet themelore të organizimit të jetës mediale dhe demokratike në Kosovë, siç është liria e shprehjes dhe liria e pluralizmit të medieve. Parashtrimin për vlerësim kushtetues të këtij vendimi pranë gjykatës e kishin bërë tre (3) deputetë të PDK-së.

Më 3 gusht morri epilog edhe një ligj tjetër i kontestuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ai për zyrtarët publikë. Me këtë rast Gjykata Kushtetuese njoftoi se i ka hapur rrugë dekretimit të këtij ligji, por duke i shpallur si anti-kushtetues disa nene të tij.

Përpos ligjeve, kjo parti pat vendosur ta dërgojë për vlerësim kushtetues edhe vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik të vitit 2023. Gjykata e shpalli opinionin saj për këtë temë më 21 nëntor. Me këtë rast, këtë ky institucion deklaroi se ka vendosur që të deklarojë kërkesën e papranueshme për shqyrtim në merita sepse e njëjta nuk është “ratione materiae” në pajtim me Kushtetutën.

Më 23 nëntor Gjykata Kushtetuese njoftoi opinionin mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, të ngritur nga Komuna e Prizrenit.

Kështu, organi më i lartë kushtetues në vend deklaronte se Ligji i kontestuar, (i) përcakton bazën ligjore sipas të cilës mund të falet tatimi në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, duke saktësuar lartësinë maksimale të faljes së këtij tatimi dhe afatin përkatës kohor brenda të cilit mund të merret vendimi për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme”.

Po ashtu, kompetencën për këtë vendimmarrje e kanë kuvendet komunale. Ndërkohë, Ligji i kontestuar nuk i detyron kuvendet komunale përkatëse, por saktëson bazën ligjore sipas të cilës u mundëson të njëjtave për të vendosur përkitazi me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestua” .

Menjëherë pas kumtimit të këtij lajmi, kishte reaguar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai deklaroi se më në fund u vërtetua se “të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza dhe kjo gjë u dëshmua edhe tani. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”.

Të nesërmen, Gjykata Kushtetuese e publikoi Aktgjykimin në rastin KO 173/22, të parashtruar nga Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Dhe me këtë aktgjykim Gjykata e rrëzoi ligjin e Qeverisë.

Pak ditë parë ndërrimit të motmoteve, përkatësisht me 26 dhjetor pushteti e humbi edhe një betejë pranë kësaj gjykate. Fjala është për Ligjit nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Përgjithësisht, me përjashtim të të ligjit për faljen e tatimit në pronë, pushteti i humbi të gjitha betejat tjera kushtetuese pran këtij institucioni më të lartë juridik në vend, duke ngritur kështu alarmimin dhe shqetësimin për një tendencë të vazhdueshme të tij për të shpërfillur normat kushtetuese në vend.

/TV Arbëria