![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Shkruan: Afrim Kasolli
Ministri i financave Herkuran Murati tashmë e ka bërë zakon që nëpërmjet betejës së tij virtuale ta relativizojë çdo dështim të kësaj qeverie. Dhe për më tepër këto të fundit t’i paraqes si sukses. Shembull tipik i manipulimit me shifra është edhe postimi i sotëm i tij lidhur me suksesin historik të këtij pushteti sa i përket investimeve kapitale. Por jo vetëm. Ai shkruan se “për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën 3 miliardë euro, duke arritur realizim 100% të planifikimit vjetor, ende pa përfunduar viti. Ky buxhet ka mundësuar pagesën e mbi 840 milionë eurove për paga në sektorin publik, rreth 450 milionë euro mallra e shërbime siç janë barnat esenciale apo furnizimet për mbrojtje e siguri, rreth 1.1 miliardë për pensione, shtesa për fëmijë e subvencione në bujqësi, dhe më e rëndësishmja, për herë të parë në historinë e vendit investimet kapitale kanë tejkaluar vlerën mbi 600 milionë euro – shifra e saktë dihet tek pasi të jenë paguar të gjitha faturat që janë pranuar sivjet”.
Ndërkohë dështimi i këtij pushteti, por jo vetëm tij, veçanërisht sa i përket shpenzimeve kapitale dhe mos implementimit të tyre, është dokumentuar edhe nga organizata të shoqërisë civile që merren me analizën e strukturës buxhetore të vendit. Hiç me larg se para pak dite, Instituti GAP më anë te një analize mbi Ligjin për Buxhetin pat konstatuar se edhe këtë vit dominon një shpërpushje ndërmjet mjeteve të dedikuara për shpenzimet kapitale si dhe mos implementimin e tyre. Kështu, sipas hulumtimit , “Projektbuxheti 2025 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”, thuhet se për vitin 2025, janë buxhetuar rreth 927.8 milionë euro për investime kapitale”. Por këtu, nuk duhet të krijohet iluzioni se bëhet fjalë për projekte të reja. Përkundrazi, “nga 833.6 milionë euro apo 90% janë planifikuar për vazhdimin e projekteve të mëhershme dhe rreth 94.2 milionë euro apo 10% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Kurse 75% (699.4 milionë euro) e gjithsej investimeve kapitale janë të buxhetuara për nivelin qendror, ndërkaq 25% (230.9 milionë euro) për nivelin lokal”
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
Ndërkaq, në anën tjetër, sipas mediumit Evropa e Lirë, “në katër vjetët e kaluara, nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ishin ndarë gjithsej mbi 3 miliardë euro për projekte kapitale. Por që prej tyre u shpenzuan vetëm 1.6 miliard”.
Thjesht, këtë dështim mandator të pushtetit për të jetësuar edhe ato që vetë i ka planifikuar, në këtë mëngjes zymtor dimëror, ministri Murati sot tenton ta paraqes si sukses historik. E pa precedent se çfarë përmasa po merr beteja virtuale kundër së vërtetës, fakteve dhe statistikave nga amplifikuesit propagandistikë qeveritarë./tvarbëria/
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)