Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Beteja për Afrikën dhe implikimet e saj në dialogun Kosovë-Serbi

Beteja për Afrikën dhe implikimet e saj në dialogun Kosovë-Serbi

Shkruan: Afrim Kasolli

Nga data 4 deri me 6 shtator në Pekin të Kinës mbahet Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë. Pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore për këtë shtet janë një numër i madh i liderëve shtetërorë të këtij kontinenti. Presidenti i Kinës Xi Jinping, e ka quajtur këtë ngjarje si njërin nga takimet më të rëndësishme diplomatike dhe politike të shtetit të tij. Ky event është në funksion të agjendës kineze për shtrirje të hegjemonisë së saj planetare, ekonomike dhe gjeopolitike.

Deri më tani ky shtet ka investuar miliarda dollarë në këtë kontinent për të ndërtuar rrugë, porte, dhe hekurudhua në mënyrë që të ketë gjithnjë e më shumë akses në pasuritë minerale të shteteve afrikane, sikur litiumi, kobalti etj, të cilat janë jetike për prodhimin e baterive, pajisjeve elektronike dhe makinave elektrike dhe në përgjithësi për tekonologjinë e rinovueshme. Ky projekt njihet ndryshe si “Brezi dhe Rruga”.

Bie fjala, vetëm rajoni Moanda i Gabonit përmban deri në një të katërtën e rezervave të njohura globale të manganit, ndërsa Afrika e Jugut përbën 37 për qind të prodhimit global të këtij metali. Po ashtu, minierat e kobaltit gjenden në Republikën Demokratike të Kongos. Ajo përbën 70 për qind të totalit në botë. Nuk është e rastësishme që sot po zhvillohet një luftë e harruar ndërmjet këtij shteti dhe Ruandes. Madje, mediat ndërkombëtare kanë hedhur akuzua ndaj BE-së, se me marrëveshjen për partneritet strategjik për pasuritë minerale me Ruandën janë shndërruar në zjarrvënës të kësaj lufte të pafund. Territoret e pushtuara të Kongos, shteti i Ruandës i ka shndërruar në minierë ari për të, e cila edhe sipas shifrave të Departamentit amerikan të Shtetit, është duke eksportuar më shumë materiale të kësaj natyre se sa ka kapacitete për të prodhuar në territorin e saj zyrtar.

Sidoqoftë, forumi që po mbahet aktualisht në Kinë, është shprehje e suksesit të kësaj të fundit për intensifikim të vëllimit ekonomik më shtetet afrikane. Dhe ky ndryshim ka ndodhur brenda dy dekadave. Për analistët ndërkombëtarë shumë firma perëndimore tashmë janë dëbuar nga tregu afrikan, edhe për shkak të modelit të ndryshëm ekonomik dhe politik të SHBA-ve dhe BE-së në raport me Kinën. Kompanitë nga ky shtet kanë fleksibilitet më të madh edhe në zona të fragjile të sigurisë për shkak të mbështetjes shtetërore që e gëzojnë. Kurse ato perëndimore janë më pak imune në kësi situata, sepse i takojnë vetëm sektorit privat. Po ashtu, Kina vepron sipas parimit pragmatik ekonomik duke i shpërfillur shqetësimet për sundimin e ligjit, nivelin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në dallim nga shtetet demokratike që nuk mund të kenë bashkëpunim të hapur me ato vende që demonstrojnë shpërfillje ndaj këtyre standardeve.

Kështu, sot vendet e Bashkimit Evropian, janë gjendur përballë një presioni të jashtëzakonshëm ekonomik për shkak të konkurrencës që e pozon Kina. Humbja e burimeve të lëndëve të para minerale i ka alarmuar ato. Në këtë kontekst të këtij presioni ekonomik mund të vlerësohet edhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit për partneritet strategjik lidhur me lëndët e para të qëndrueshme, për rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike në mes të Komisionit Evropian dhe Serbisë. Marrëveshje kjo, e cila i ka siguruar një peshë tjetër specifike Serbisë, sidomos për Gjermaninë, e cila është edhe njëri nga shtetet më të fuqishme ekonomike të BE-se dhe po ashtu mbështetësi kryesor i planit franko –gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, detyrimi i SHBA-ve për ta kufizuar influencën gjeopolitike të Kinës në rajonin e Azi-Paqësorit me theks të veçantë mbrojtjen e ishullit të Tajvanit, po bëhet një imperativ strategjik imediat. Prandaj, ka gjasa që në vitet e ardhshme SHBA-te të jenë gjithnjë e më pak të fokusuara në zhvillimet në Evropë.

Këto ndryshime tektonike mund të kenë implikime edhe për fatin ndërkombëtar të Kosovës, sidomos kur raportet me Serbinë ndodhen larg normalizimit. Ndërkohë, ka pak shpresa që ky proces mund të lëviz pozitivisht nëse qëndron konstatimi i të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajacak, se fjalën përfundimtare për marrëveshje në fund do ta kenë vetë palët. /TV Arbëria

Powered by WordPress