Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Beteja ndërmjet klaneve në Vetëvendosje që e la pa bukë FSK-në

Beteja ndërmjet klaneve në Vetëvendosje që e la pa bukë FSK-në

Shkruan: Afrim Kasolli

Sa më shumë që një subjekt politik rritet, i shtohet mbështetja si dhe përkrahja popullore, aq më tepër ajo pushtohet nga interesat, klanet dhe klientelizmi. Kjo tendencë është sidomos e pashmangshme në vende ku mungojnë traditat demokratike.

Shprehur metaforikisht, beteja ndërmjet sektit dhe kishës e formëson forcën motorike të këtij tensioni. Se partitë politike pavarësisht retorikës së tyre egalitare, nuk mund ta shmangin këtë kontradiktë, e kishte hetuar sociologu i njohur, Robert Michels. Ky teoricien pohon se shumë nga organizatat moderne, madje edhe ato që janë të përkushtuara për barazi, sikur se partitë e majta, në fakt janë oligarkike dhe të dominuara nga një grup i vogël drejtuesish.

Shembull tipik i këtij deformimi sot mund të konsiderohet, Lëvizja Vetëvendosje. Ajo fillimisht i ngjasonte një sekti të ngushtë ideologjik të protestës politike. Diskutimet mbi natyrën e së majtës, dallimet ndërmjet Leninit, Stalinit dhe Leon Trotsky apo ndërmjet Fidel Castro-s dhe Che Guevar-ës, e ushqenin atmosferën politike në origjinë të saj. A ishte rruga e duhur e instalimit të barazisë sociale, revolucioni permanent, apo konsolidimi fillimisht një shtet dhe më pastaj eksportimi në vende tjera, ishin disa nga pyetjet dhe dilemat fillestare.

Mirëpo, me ardhjen dhe etablimin e saj në pushtet, ndryshuan normat, detyrimet dhe synimet. Tash duhej menaxhuar interesat dhe përfitimet që i krijon pushteti. Mundësisht që ato t’i përvetësojnë grupe sa më të vogla. Nuk është e rastësishme që vendin e dikurshëm të “idealisteve majtistë” e pushtuan “djathtistët materialistë”. Këta të fundit u bënë figurat kryesore përfaqësuese. Ata që kishin shërbyer dhe përfituar në të gjitha pushtetet parapake, sepse këta e njihnin më mirë së askush tjetër këtë strategji. Prandaj, Mimoza Kusari, apo pjesëtarë të familjes Dugolli e fituan ndikimin kryesor politik brenda VV-së. Ndërkohë, njëri nga vëllezërit e kësaj familje, me t’u bërë Sekretar Permanent së bashku më një zëvendës-ministër, sipas mediave u angazhuan në kurdisjen e një “tenderi sekret” për furnizim më ushqim për pjesëtarët e FSK-së, që sipas vetë ministrit Ejup Maqedonici, si tillë ka probleme. Ndërkohë, pas denoncimit të të njëjtit tender nga mediat, ministri në fjalë, ka refuzuar që ta nënshkruajë atë, çfarë edhe solli krizën e ushqimeve për Ushtrinë e Kosovës. Pra është kjo luftë e klaneve brenda kësaj partie, e cila vetëm sa do të vjen duke u thelluar tash e tutje, që u shndërrua në burim të këtij skandali.

Ndërkohë, mbetet të shihet se çfarë epilogu do të marr kjo dramë e re politike. Kuptohet fjalën përfundimtare do ta ketë Albin Kurti. Pra se cilin grup do ta mbështes në ketë tendermoani. Sipas të gjitha gjasave, ai do të angazhohet për t’i ekuilibruar këto kundërthënie. Që të dy palëve t’u jap të drejtë. Sepse për shkak të mirëmbajtjes së pushtetit i duhen si Dugollët ashtu edhe ministri Ejup Maqedonci. Ngase të parët kanë dëshmuar aftësinë për t’i shërbyer çdo pushteti në Kosovën e pas luftës, kurse ministri për shkak të trashëgimisë së tij si në luftë ashtu edhe në paqe, i nevojitet si reklame politike, se si Lëvizja Vetëvendosje është partia që nuk harron t’i pushtetizojë njerëzit e dikurshëm të UÇK-së. /tvarbëria/