Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Beteja e pushtetit për nënshtrimin e shoqërisë

Beteja e pushtetit për nënshtrimin e shoqërisë

Me të marrë pushtetin Albin Kurti në masë të madhe e ka ndryshuar luftën e tij politike. Ka qenë shumë më tolerant ndaj partive opozitare dhe më radikal ndaj strukturave dhe agjenteve tjerë publikë dhe shoqërorë.

Madje ndryshimet brenda këtyre partive i ka përshëndetur dhe mirëpritur. Kure betejën kryesore  politike e ka zhvilluar ndaj sindikatave të arsimit, administratës, ndërmarrjeve publike, policisë, mediave etj etj. I ka shpërfillur kërkesat e tyre. Ofenduar drejtuesit e këtyre trupave. Dhe i ka atakuar si mbetje të nëntokës politike të “regjimit të vjetër”. Pra i ka ndërruar prioritet. Nëse në opozitë i kishte përdoruar të njëjtat kundër ish-pushtetit, tash ato i quan si zgjatim të tij dhe që kanë për qëllim ta sabotojnë erën e ndryshimeve. Kështu “miqtë” e dikurshëm janë shndërruar në “armiqtë” të rinj politikë.

Mbase ky konvertim i roleve dhe pozicioneve nuk është i rastësishëm. Por është pjesë e asaj mendësie që kërkon nënshtrim të plotë të shoqërisë ndaj pushtetit. Duke qenë se opozita aktuale është shndërruar vetëm në dekor të demokracisë, atëherë rruga e jetësimit të plotë të hegjemonisë aktuale nuk mund të konsiderohet e suksesshme pa i nënshtruar të gjitha ata struktura që kanë autonomi në veprimin e tyre. Kjo tendence u manifestua në mënyrë brutale ndaj kërkesave të sindikatës së arsimit dhe po vazhdon deri më sot me ato të grevës së minatorëve në ndërmarrjen Trepça si dhe të policisë.

Sipas logjikës aktuale të pushtetit, këto grupe nuk kanë asnjë arsyeje as të protestojnë dhe as të kenë kërkesa të reja. Tashmë ndryshimi ka ndodhur me 14 shkurt. Prandaj duhet vetëm pajtim dhe subordnim ndaj tij. Ai është shprehje e vullnetit popullor. Dhe se çdo mospajtim më të është kundërshtim i këtij vullneti popullor, i cili flet nëpërmjet Albin Kurtit, ngase ky i fundit e përfaqëson të vërteten dhe kauzën e drejtë të tij.

Kështu, çdo kërkesë e re mund të jetë shprehje e dëshirës për të restauruar padrejtësitë e vjetra.  Prandaj, në vend të angazhimit për realizmin e tyre ato duhet demaskuar sepse kanë vetëm karakter instrumental. Kjo është edhe arsyeja që në vazhdimësi Albin Kurti ka pohuar se nuk ka kuptim kur pas ndryshimeve që kane ndodhur, sindikatat të udhëhiqen nga drejtues të vjetër. Edhe ato duhet t’i përshtaten qeverisë. Në mënyrë që tentakulat e pushtetit të depërtojnë nëpër të gjithë kapilarët e shoqërisë. Sepse, ideja e ndryshimit mund të kuptimsohet vetëm atëherë kur nuk ka asnjë rezistencë ndaj hegjemonisë së pushtetit.

/TV Arbëria

Powered by WordPress