Shkruan: Afrim Kasolli
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është lavdëruar sot edhe për një arritje të tij gjatë këtij mandati qeverisës. Në rrjetin e tij social ai ka shkruar se vlera e investevime të huaja direkte, prej se e ka marrë pushtetin në vitin 2021 e deri më sot është rritur 2.4 herë më shumë në raport me qeverisjet e kaluara. Sipas tij, “mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 milionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”,
Këto arritje ka konstatuar Kurti janë rezultat i “qeverisjes së mirë dhe të ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimit të ligjit, përparimit demokratik, stabilitet institucional, reformave ekonomike, përgjegjshmërisë fiskale, politikave tatimore të përshtatshme, mbështetjes së investimeve përmes garantimit të kredive, fuqisë punëtore të kualifikuar, e me skema të punësimit të subvencionuara nga qeveria” . Masa këto, që po e bëjmë shtetit tonë një “destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”, ka përfunduar Kurti.
Mirëpo, përtej logjikës ekonomike, për të cilën është thënë se dominojnë kryesisht ato nga diaspora në patundshmëri, si dhe se si kjo rritje nominale nuk është reale, ngase është pasojë e inflacionit dhe rritjes së çmimeve, megjithatë politikisht me këtë ekspoze, Kurti mëton të demantojë dy pretendime të partive opozitare dhe eksperteve mbi pasojat e politikave të tij sidomos në ekonomi.
Shpeshherë është thënë se aksionet që ka ndërmarr Qeveria e Kosovës në pjesën veriore, përpos acarimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, po ashtu, kanë pasur efekte negative edhe në ekonomi, sepse akte të tilla i trembin investitorët e huaj.
Madje një opinion të tillë e mbronte edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve që ofron informacion mbi mjedisin e të bërit biznes në më shumë se 160 ekonomi të botës. Në pjesën për Kosovën, raporti i DASH-it, ka vënë në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e Investimeve të huaja. Në këtë linjë, kohë me parë kishte reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ajo nëpërmjet një komunikate kishte shkruar “Çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve kanë krijuar një mjedis të paqëndrueshëm që është dekurajues për bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, pasi investitorët hezitojnë të investojnë paratë e tyre në një vend me një nivel të lartë të pasigurisë politike, i cili rrit rreziqet që lidhen me investimet e tyre”.
Kështu kryeministri Kurti sot nëpërmjet shifrave të tij, të cilat mbetet të sfidohen në aspektin ekonomik nga ekspertët, politikisht po konstaton se pikërisht veprimet e tij për shtirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë, nuk kanë prodhuar stagnim ekonomik, por të kundërtën. Prandaj, nga beteja për shtrirje të ligjshmërisë janë shtuar edhe investimet e huaja. Kështu, Kosova është bërë edhe me sovrane edhe me zhvilluar. Për më tepër, sipas kësaj logjike, as masat sanksionuese të Bashkimit Evropian, nuk kanë pasur efekt negativ në vend. Sepse rritja ekonomike është më e madhe nën ndikimin e tyre, sesa ishte në të kaluarën. Një fenomen ky i pa precedent, ku vetëm Kosova dhe Rusia nën sanksione zhvillohen me shumë se pa to. /TV Arbëria