Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se figura e njohur e sportit kosovar, Besim Hasani, i është bashkuar listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
Në një postim publik, Krasniqi ka vlerësuar lart kontributin e Hasanit, duke kujtuar bashkëpunimin e tyre gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai tha se Hasani ka qenë një nga figurat kyçe në fuqizimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.
Krasniqi theksoi se pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe medaljet e para olimpike ishin arritje historike, të cilat, sipas tij, u bënë realitet falë përkushtimit dhe këmbënguljes së Hasanit dhe ekipit të tij.
“Jam shumë i lumtur që Besimi i bashkohet ekipit tonë, duke sjellë përvojën dhe energjinë e tij në shërbim të një Kosove më të mirë. Një vlerë e shtuar për PDK-në. Një hap përpara për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje Hasanit në parti.