Në Ditën Ndërkombëtare të të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale, Besa Ismaili ka risjellë në vëmendje një nismë të rëndësishme që ajo e konsideron si një nga kulmet e angazhimit të saj për drejtësi dhe dinjitet njerëzor: Deklaratën e përbashkët të bashkësive fetare në Kosovë kundër stigmatizimit të të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Kjo deklaratë, e iniciuar nga ajo në vitin 2018 dhe e realizuar në vitin 2019, është vlerësuar si një akt i rrallë i guximit dhe empatisë. Sipas Ismailit, ky qëndrim i përbashkët i bashkësive fetare ka pasur një ndikim të thellë dhe vazhdon të frymëzojë përpjekjet për shërimin dhe pranueshmërinë e viktimave në familje dhe në shoqëri.
“Le të vazhdojmë t’i përmbahemi këtij vizioni – me përkushtim, bashkëpunim dhe solidaritet të palëkundur”, është mesazhi i saj në këtë ditë përkujtimore. /TV Arbëria