Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Besa Ismaili Ahmeti në “ARB Debat”: Mitrovica është çështje nacionale dhe interes kombëtar, jo problem lokal

Besa Ismaili Ahmeti në “ARB Debat”: Mitrovica është çështje nacionale dhe interes kombëtar, jo problem lokal

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Besa Ismaili Ahmeti ishte e ftuar në emisionin “ARB Debat” në TV Arbëria, ku foli gjerësisht për rëndësinë e Mitrovicës, situatën në veri të Kosovës, rolin e faktorëve ndërkombëtarë dhe kritikoi ashpër qeverisjen aktuale.

Ajo theksoi se gjatë gjithë angazhimit të saj është përpjekur të rrisë vetëdijen se Mitrovica nuk duhet parë si një çështje lokale, por si një interes madhor kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Gjatë gjithë angazhimit tim jam munduar që të ngrisë një vetëdijësim se Mitrovica nuk është çështje lokale, por përveçse është nacionale dhe interes kombëtar, ajo gjithmonë ka qenë edhe ndërkombëtare”, u shpreh Ismaili Ahmeti.

Sipas saj, Mitrovica historikisht ka qenë një nyje e rëndësishme gjeopolitike në Ballkan, ku përplasen Lindja dhe Perëndimi.

“Gjithmonë është folur për atë pjesë sepse është një nyje e gjithë Ballkanit, ku aty përplaset Lindja dhe Perëndimi, në kuptimin e Lindjes bolshevike”, tha ajo, duke përmendur edhe simbolikën historike të fillimit të fushatave politike nga Mitrovica.

Ajo theksoi se rëndësia e veriut duhet të jetë në fokus të çdo qytetari, por sidomos të atyre që merren me politikë.

“Duhet ta kenë në radarin e tyre politik rëndësinë që ka veriu për Kosovën, për shtetin e Kosovës, për integrime, për gjithçka që kemi sakrifikuar deri më tani”, deklaroi Ismaili Ahmeti.

Duke folur për situatën në veri, ajo tha se tensionet dhe gjendjet e sikletshme janë gjithmonë të pranishme, edhe kur nuk duken hapur.

“Situata të tilla të sikletshme besoj që janë gjithmonë prezente në atë pjesë, edhe atëherë kur nuk i shohim vizualisht”, u shpreh ajo.

Ismaili Ahmeti kritikoi qasjen e institucioneve dhe faktorëve ndërkombëtarë, duke theksuar mungesën e përfshirjes së qytetarëve lokalë në proceset vendimmarrëse.

“Të sikletshmet i kam pasur atëherë kur flitej në dhoma të larta në zyra ndërkombëtare, kur fare pak bisedohej nga poshtë-lart, dhe ne që ishim në terren kishim ndjenjën se frustrimi po i shtohej situatës për shkak të mospërfshirjes së mendimit dhe ndjeshmërisë së qytetarëve që jetojnë aty”, tha ajo.

Ajo shtoi se për dekada me radhë, banorët e asaj pjese janë anashkaluar.

“Jo vetëm ndjenjat, situatat dhe interesat e tyre janë anashkaluar, por edhe idetë për të zgjidhur konfliktin”, theksoi Ismaili Ahmeti, duke shtuar se zgjidhjet më të mira vijnë nga ata që janë drejtpërdrejt të përballur me problemin.

“Unë besoj fuqishëm që konfliktet zgjidhen më mirë dhe më drejtë nga ata që janë në frontin e parë të problemit”, u shpreh ajo.

Në pjesën e fundit të debatit, Ismaili Ahmeti adresoi kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për paaftësi në qeverisje dhe për krijim të ndarjeve në shoqëri.

“Paaftësia për të qeverisur, mosnjohja dhe mungesa e konsideratës dhe dashurisë për qytetarët e Kosovës e kanë bërë atë të krijojë një demon të paqenë brenda shtetit të Kosovës”, deklaroi ajo.

Sipas saj, kryeministri po përdor frikën dhe polarizimin për interesa politike.

“Ai krijon retorika, por jo veprime, krijon polarizime por asnjëherë përbashkime, dhe ndërton përçarje të thelluara për ta ruajtur pozicionin e tij të fuqishëm”, tha Ismaili Ahmeti.

Duke qenë se vendi ndodhet në fushatë zgjedhore, ajo bëri thirrje për unitet dhe shmangie të frikësimit.

“Neve nuk na duhet përçarja, nuk na duhet frikësimi i njëri-tjetrit, nuk na duhet gogoli”, u shpreh ajo, duke shtuar se Lista Serbe po paraqitet si kërcënimi kryesor.

“Për Kosovën ka rreziqe shumë më të mëdha sesa një parti e një pakice etnike në Kosovë”, përfundoi Ismaili Ahmeti.