Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se revolucioni i paralajmëruar nga opozita do të nisë shumë shpejt.
Në konferencë e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se ky vend ka vetëm një zgjidhje dhe ajo zgjidhje është revolucioni.
“Janë vetëm qytetarët që mund të ngrihen në këtë situatë. Përndryshe Shqipëria shkon drejt një desintegrimi social të plotë. Drejt një denatyrimi. Imagjinoni ju. Janë rritur importet me Kolumbinë 60 herë nga 2015-a deri sot. Çfarë bëhet kështu? E tëra është kokainë. Nuk kam të dhëna se ‘Ismaili’ ka fluturuar në Kolumbi. Por kam të dhëna se bën fluturime të dyshimta. Hetimi dhe vetëm hetimi është vendimtar. Ky vend ka vetëm një zgjidhje dhe ajo zgjidhje është revolucioni. Si e vetmja zgjidhje”, tha ai.
Berisha foli sot në lidhje me deklaratë e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim. Ai tha se demokratë nuk mund të shantazhohen që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës.
“Në fakt, asgjë nuk i pengoi demokratët që të zgjedhin udhëheqjen e tyre. Asgjë nuk mashtroi dot demokratët, asnjë kërcënim nga askush nuk i bindi ata që tërhiqen nga rruga e rithemelimit të një opozite të vërtetë. Demokratët, e them këtu me siguri të plotë, janë dhe mbeten njerëz të idealeve demokratike dhe pro-perëndimore. Por ata kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës. Aq më tepër nga diplomatë që kanë dëmtuar shumë rëndë me qëndrimet e tyre, reputacionin e vendit të tyre te shqiptarët. Me këtë rast, demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane. Kjo mafie, siç është një rrezik i vërtetë për demokracinë shqiptare, fatmirësisht sot, del gjithnjë e më e qartë se është një rrezik për demokracinë amerikane”, tha ai.
Berisha shtoi se “nuk kam ndërmend të komentoj më gjatë për një njeri, që ka dëmtuar me qëndrimet e saj, reputacionin e vendit të vet në Shqipëri”.
“Dhe, për ta mbyllur, një njeri që u bë protagoniste kryesore e asaj që quhet ‘woke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër. 45 vite kanë qenë falsifikim dhe mashtrim i historisë. Kështu që shqiptarët e kapin në ajër, tendencën më të vogël të mashtrimit dhe falsifikimit. Mbyllni sytë dhe kujtoni se çfarë u bë në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes vendeve tona, se si u përdor teknika e amputimit për t’i mbyllur ato në vitin 1991”, tha ai.
Berisha foli edhe për mandati i deputetes Olta Xhaçka, të cilin po e shqyrton Gjykata Kushtetuese.
“Çfarë thotë neni 70 i Kushtetutës: deputetët nuk mund të kryejnë asnjë aktivitet fitimprurës që buron nga pasuria e shtetit. Olta Xhaçka me burrin e vet, kanë fituar statusin 5 mln të investitorit strategjik. Ka inkriminuar kunatën e saj amerikane si ortake në këtë aferë. Gjykata Kushtetuese në këtë rast, ka kazusin më të qartë dhe pikërisht për përpjekjen që bën parlamenti për të shkelmuar Kushtetutën, ajo duhet t’i dalë zot Kushtetutës”, tha ai.
Gjithashtu Berisha foli në lidhje me simbolet e PD-së dhe çështjen në gjykatë përsa i përket vulës. “Ne kemi vulën, flamurin, siglën dhe flamurin në përputhje me ligjin. Ne do marrim pjesë në zgjedhje. Ne kemi bërë përgatitjet më serioze në historinë tonë elektorale”, tha ai./atsh