Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Berisha: Shqipëria sot është vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë

Berisha: Shqipëria sot është vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se Shqipëria është sot vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë.

Komentet Berisha i bëri para mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij, ku ai po vuan dënimin me ‘arrest shtëpie’ për korrupsion.

Berisha tha se ajo që qeveria e mëparshme ngriti me mund në vitet 2007-2013 është rrokullisur sërish.Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëmbrëma qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë, demokrate dhe demokratë të pamposhtur!Përshëndetje të përzemërt ju, oratorëve që me fjalët e tyre ndriçojnë dhe ngrohin mendjet dhe zemrat e shqiptarëve kudo që janë.

Miqtë e mi, ndryshimi është sot klithma që del nga shpirti dhe zemra e çdo shqiptari të vërtetë.

Ndryshimi është klithma që buron nga shpirti dhe zemra e çdo atdhetari të vërtetë.
Çdo ditë, treguesit për Shqipërinë në Europë dhe në botë e nxjerrin atë në ditën më të zezë.

Çdo ditë, treguesit e Shqipërisë lajmërojnë skamje, varfëri, varfëri dhe skamje.
Të gjitha këto në një vend të bekuar, në një vend në të cilin Zoti i ka falur çdo pasuri mbitokësore, nëntokësore.

Por kjo në këtë vend, pasuritë janë shndërruar në një mallkim për qytetarët, në një parajsë për hajdutët qeveritarë.

Miqtë e mi, Eurostati ka publikuar dje prodhimin e përgjithshëm për frymë në mbarë Europën.

Shqipëria, që u ngrit mundimshëm, por me sukses në vitet 2007-2013, është rrokullisur përsëri.

Ajo sot është vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë.

Më të ulëta se çdo vend tjetër.

Kjo është pra ‘merita’ e qeverisë së hajnave, që po i shkulin nga trupi i këtij kombi dhe vendi çdo pasuri.

Powered by WordPress