Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ditën e sotme (e hënë) në një deklaratë për media i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të enjten të mblidhen me urgjencë në Parlament dhe të miratojnë rritjen e pagave dhe pensioneve.
Berisha tha se, Edi Rama, për herë të parë pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë se ngrirja e rrogave dhe rritja e tmerrshme e çmimeve i zhyti shqiptarët në një varfëri të frikshme, që i detyron të largohen masivisht nga Shqipëria, lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash.
“Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral. Ndaj dhe i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave. Përgjigju ofertës sonë, ofertë e cila ka si synim, absolutisht jo bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të qytetarëve dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, por ka si qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Ka si qëllim një rrogë për qytetarët shqiptarë, të cilët ata e kanë merituar prej kohësh dhe e meritojnë plotësisht dhe sot”, deklaroi Berisha.
Berisha shtoi gjatë fjalës së tij duke thënë se e enjtja do jetë dita e provës së këtij premtimi.
/TV Arbëria