Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, ka vizituar lagjen “Kodra e Trimave”, duke u takuar me banorët dhe duke shprehur shqetësimin për lënien anash të kësaj zone.
Berisha theksoi se banorët e Kodrës së Trimave meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi zhvillimi si pjesa tjetër e Prishtinës. “E pse gjithë Kodra e Trimave është lënë anash? Pse? A nuk janë edhe ata Prishtinë? A nuk kanë të drejta zhvillimi?” tha ai gjatë vizitës së tij.
Së bashku me kandidatin tjetër Fadil Arifi, Berisha premtoi rikthimin e vëmendjes në këtë lagje dhe prezantoi planin e tij për zhvillimin urban të zonës.
“Koeficient ndërtimi i barabartë me të gjitha lagjet tjera të Prishtinës. Zonë industriale për biznese, që të rinjtë e lagjes të mos largohen, po me punu e me ndërtu jetën këtu. Zhvillim urban që sjell jetë, jo vetëm ndërtime”, shkroi Berisha në Facebook.