Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Berisha pret 19 deputetë gjermanë: Informova mbi krizën demokratike në vend

Berisha pret 19 deputetë gjermanë: Informova mbi krizën demokratike në vend

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pritur në ambientet e selisë blu këtë të premte një delegacion prej 19 deputetësh gjermanë nga landi i Saksonisë, drejtuar nga deputeti Jan Lödfler, zv.president i Forumit Parlamentar për Europën Qendrore dhe Lindore.

Zyra për shtyp e Partisë Demokratike njofton se “pas ftesës për të marrë pjesë në Kongresin e 37-të të CDU-së gjermane në Berlin, kjo vizitë parlamentare dëshmon interesin e lartë që shteti gjerman i jep situatës politike në vendin tonë”.

Sipas PD, “duke i shprehur mbi të gjitha mirënjohjen më të thellë për ndihmën e jashtëzakonshme që taksapaguesit gjermanë i kanë ofruar Shqipërisë nëpërmjet financimit të qindra e qindra projekteve zhvillimore ndër vite, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka informuar delegacionin e deputetëve mbi krizën e thellë demokratike që kalon Shqipëria sot”.

“Një krizë unike kjo në kontinent që prek kufijtë e të pabesueshmes, por që faktohet më së miri nga eksodi masiv tragjik i shqiptarëve gjatë 10 viteve të fundit, në veçanti drejt Gjermanisë, me një shifër që i tejkalon 1 milion bashkëkombës të larguar, ose më shumë se 30% e popullatës”, nënvizon më tej PD.

Sa i përket interesit të deputetëve gjermanë mbi sistemin e drejtësisë shqiptare, Berisha ndër të tjera tha se “reforma e drejtësisë e ka zhbërë totalisht sistemin e drejtësisë në veçanti për qytetarët shqiptarë, duke mbledhur një stok prej 150.000 dosjesh që kërkojnë 20 vite për t’u trajtuar”.

Në këtë takim, kryetari i PD, Sali Berisha theksoi gatishmërinë e Partisë Demokratike për të adresuar reformën në drejtësi ashtu si modelin qeverisës sipas praktikave më të mira europiane.

Berisha falënderoi Fondacionin e CDU-së gjermane, “Konrad Adenauer”, për të gjithë mbështetjen e vyer të ofruar në hartimin e programit qeverisës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.