Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha, sot deklaroi se gjendja në veriun e Kosovës është shqetësuese dhe kërkon reagim serioz të institucioneve përgjegjëse të shtetit.
Sipas Berishës, po të kishte vullnet e guxim politik, barrikadat në veri do të largoheshin brenda një ore.
Berisha: Të kishte vullnet dhe guxim politik, barrikadat do të largoheshin brenda një ore
“Gjendja e vërtetë që po paraqitet nga Qeveria, me theks të veçantë e Policisë së Kosovës, është ndryshe. Policia qëndrojnë me moral të lartë dhe me përkushtim si gjithherë më parë kur ka qenë në pyetje shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit. Si i kryetar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, i njoh mirë kapacitetet e Policisë së Kosovës, po edhe përkushtimin dhe moralin e tyre në shërbim të atdheut, që meritojnë respekt institucional dhe jo vetëm vajtimin e Qeverisë. Barrikadat e vendosura po të kishte vullnet dhe guxim politik do të largoheshin brenda një ore, qysh janë larguar edhe herave të kaluara. Nuk do të rrinin duarkryq dhe duke e lënë popullin e Kosovës në një mjegull të madhe.”, u shpreh Berisha.
Ai potencoi se si pasojë e paaftësisë së qeverisë, temat teknike janë kthyer në probleme të sigurisë.
Berisha: Paaftësia e këtij pushteti e ka krijuar një gjendje të tensionimit të panevojshëm
“Popullin dhe Policinë e Kosovës nuk e trembin bandat dhe manovrimet që po bahen në atë pjesë të Kosovës. Për shumë vite ne kemi punuar për paqe dhe siguri në gjithë Kosovën. Paaftësia e qeverisë dhe e këtij pushteti e kanë krijuar një gjendje të tensionimit të panevojshëm, me tema teknike, të cilat i kanë kthy në probleme të sigurisë. Qytetarët që dje, sot e nesër po kyçen në veprime të kundërligjshme, kryengritëse dhe kundër interesit qytetar, ju them mos lejoni të keqpërdoreni nga politika. Po ashtu, ju thërras për qetësi, për kujdes, mirëpo nuk duhet që të pranojmë këtë gjendje që është kriju tash si status-quo”, tha ai.
Berisha shtoi se barrikadat në veri duhet të hiqen nga Policia dhe KFOR-i bashkë.
Ai shtoi se nuk është dashur që për çështje të problemeve teknike, të kthehet veriu i Kosovës në problem të sigurisë. Por, shtoi se kjo situatë nuk bën që të mbetet status-quo, kështu siç është. /TV Arbëria