Dje u mbajt takimi për caktimin e datës së zgjedhjeve me liderët e partive politike të cilët u ftuan zyrtarisht nga Presidentja Osmani, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e bojkotoi këtë takim ku kishte dërguar si zëvendësim të tij Kryeparlamentarin Glauk Konjufca për të cilin Presidentja Osmani e refuzoi të marrë pjesë, raporton TV Arbëria.
Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për TV Arbëria, ka folur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Hisen Berisha, i cili deklaroi se ky veprim mund të shihet si një përpjekje për të shmangur diskutimet për sistemin dhe procesin zgjedhor dhe vendimet e rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën politike dhe institucionale të vendit.
“Ky refuzim ngre shqetësime të rëndësishme për procesin demokratik në Kosovë. Ky veprim mund të shihet si një përpjekje për të shmangur diskutimet për sistemin dhe procesin zgjedhor dhe vendimet e rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën politike dhe institucionale të vendit”, deklaroi ai.
Sipas vlerësimit të Berishës bojkoti i këtij takimi mund të interpretohet si një mungesë e përgjegjësisë demokratike dhe një përpjekje për të vonuar procesin zgjedhor, teksa shton se pjesëmarrja në diskutime të tilla është thelbësore.
“Bojkoti i këtij takimi mund të interpretohet si një mungesë e përgjegjësisë demokratike dhe një përpjekje për të vonuar procesin zgjedhor në mënyrë që të vazhdohet status quo-ja politike. Në një demokraci funksionale, pjesëmarrja në diskutime të tilla është thelbësore për të siguruar që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta dhe transparente”, është shprehur Berisha për TV Arbëria.
Mospjesëmarrjen e Kryeministrit Kurti në takim me Presidenten Osmani dhe liderët e partive politike, Berisha e quan papërgjegjësi, joseriozitet dhe luhatje besimi ndaj qeverisë dhe institucionet e shtetit, derisa thotë se qytetarët ndjehen të zhgënjyer.
“Në ana tjetër, ky veprim gjithashtu duhet parë si papërgjegjësi joseriozitet dhe luhatje besimi ndaj qeverisë dhe në institucionet e shtetit. Qytetarët ndihen të zhgënjyer dhe të pakënaqur me mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë nga ana e partive në pushtet. Kjo situatë krijojë tensione dhe rritë polarizimin politik në vend.”
Sipas tij, Presidentja po mundohet ta prezantoj këtë përqarje duke dështuar në rolin e saj Kushtetues, teksa Berisha refuzimin e këtij takimi nga një parti të koalicionit qeverisës , e quan skenar ogurzi.
“Këtë polarizim e përqarje po mundohet ta prezantoj edhe Presidentja duke dështuar në rolin e saj kushtetues në krijimin dhe ruajtjen e unitetit politik në vend. Prandaj takimi i liderëve të partive politike, duke u “refuzuar” nga një parti e koalicionit qeverisës ku takon dhe Presidentja, të krijon përshtypjen e një skenari ogurzi. Legjitimiteti i kësaj qeverie përfundon me 14 shkurt 2025, prandaj duhen respektuar standardet dhe afatet kushtetuese”, theksoi Berisha.
Berisha për partitë politike thekson se është e rëndësishme të tregojnë përgjegjësi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv për të siguruar që proceset zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë.
“Është e rëndësishme që partitë politike të tregojnë përgjegjësi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv për të siguruar që proceset zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë. Vetëm përmes pjesëmarrjes aktive dhe transparente mund të arrihet një konsensus që do të ndihmojë në forcimin e demokracisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e tyre”, përfundoi Berisha për TV Arbëria.