Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur dje në favor të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë, shkruan Arbëria TV.
Ky vendim është marrë në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, e i njëjti ka nxitur reagime të shumëta si në Kosovë ashtu edhe në shtetin fqinj.
Në lidhje me këtë temë për Arbëria TV është deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.
Ai thotë se “këto pasaporta janë një sinonim i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”.
“Lëvizja e lirë në zonën “shengen” për qytetarët kosovarë të komunitetit serb, me pasaporta të lëshuara nga zyra për Kosovën në Serbi, përbën një çështje komplekse dhe një kontroversitet politik e diplomatik që vë në pikëpyetje politikën e jashtme të BE-së. Përdorimi i pasaportave të lëshuara nga zyra për Kosovën në Serbi ngre pyetje për legjitimitetin e këtyre dokumenteve. Këto pasaporta janë një sinonim i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe përdorimi i tyre mund të konsiderohet si një formë e vazhdimit të ndikimit serb në çështjet e brendshme të Kosovës”, deklaroi Berisha.
Deputeti i PDK-së thotë se ky vendim nga BE mund të ndikoj negativisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi mund të krijohen tensione e komplikime të shumëta, duke e hedhur fajin tek BE për shkak se sipas tij krijon një ndjenj pabarazie dhe diskriminimi edhe në komunitetet tjera në Kosovë.
“Kjo lëvizje mund të interpretohet, po ashtu, si një sfidë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Duke lejuar përdorimin e këtyre pasaportave, BE-ja dhe vendet anëtare të Shengenit po dërgojnë një mesazh të gabuar që nënvlerëson statusin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran, i konfirmuar ndërkombëtarisht 14 vite më parë nga GJND.
Kjo politikë e ndjekur nga BE, gjatë procesit të ndërmjetësimit si edhe me këtë vendim, po përçon mesazhin e rrezikimit të së ardhmes së Kosovës dhe kushtit bazë për stabilitet politik dhe paqe në rajon, njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë si shtete që dolën nga shpërbërja e ish-RFJ me luftë” tha ai për Arbëria TV.
Tutje, Berisha thotë se kritikat bien edhe mbi politikën e qeverisë Kurti ne lidhje me mosimplementimin e marrëveshjeve të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në situatën aktuale.
“Përfundimisht, politika e qeverisë Kurti për mosimplementimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe arritjen e marrëveshjeve të vitit 2023, me detyrimet ndërkombëtare për Kosovën, ka krijuar një situatë ku BE-ja dhe Serbia kanë ndikuar në zhvillimet e brendshme të Kosovës. Kjo mund të shihet si një shkelje e integritetit politik të Kosovës dhe një precedent për veprime të tjera që mund të minojnë sovranitetin e saj.
Tashmë janë identifikuar pikat e marrëveshjeve që janë në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe që kanë kontribuar në tensionet në dialogun Kosovë-Serbi, me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë ndikuar në perceptimin e Kosovës si një partner jo i besueshëm në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, shtoi deputeti i PDK-së./Arbëria TV