Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në një prononcim për TV Arbëria ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, për raportet e Qeverisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se deklaratat e kryeministrit, se raportet me Amerikën janë të shkëlqyera, nuk përkojnë me realitetin.
Ai tutje thotë se deklaratat e Richard Grenell, e vunë në dukje krizën mes dy vendeve.
“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyera nuk përkon me realitetin politik dhe përplasjet e përsëritura me këtë aleat strategjik.
Reagimi i menjëhershëm i Richard Grenell, i cili vuri në dukje krizën më të rëndë në 35 vite marrëdhënie mes dy vendeve, thekson qartë tensionet që nuk mund të mohohen.
Ndërsa Kurti mundohet të portretizojë një situatë normale, faktet tregojnë një përkeqësim të dukshëm që ka ardhur si pasojë e një sërë veprimesh dhe qëndrimesh të cilat kanë sfiduar vazhdimisht politikat amerikane në rajon”, ka deklaruar Berisha.
Tutje ai thotë se qasja e Albin Kurtit, rreth pavarësisë së Kosovës, ka qenë që nga fillimi problematike.
“Qasja e Kurtit ndaj procesit të pavarësimit të Kosovës ka qenë problematike që nga fillimi. Në periudhën e Rambujesë, ai shprehu mosbesim ndaj garancive të dhëna nga SHBA për pavarësinë, duke e konsideruar atë një proces të diktuar.
Edhe më vonë, ka pasur deklarata publike ku e cilësoi shpalljen e pavarësisë si një kompromis të dhimbshëm, duke e krahasuar me akt tradhtie. Kjo filozofi politike, e ndërtuar mbi skepticizmin ndaj mbështetjes perëndimore, ka vijuar me retorikën përçmuese ndaj përfaqësuesve të lartë amerikanë, përfshirë fyerjet ndaj presidentit Donald Trump, të cilin e quajti “kamikaz”, dhe nënvlerësimin e rolit të Richard Grenell si ndërmjetësues”, ka thënë Berisha.
“Një tjetër moment që rëndoi marrëdhëniet ishte refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan, një investim i rëndësishëm strategjik për diversifikimin energjetik të Kosovës.
SHBA e konsideroi këtë veprim si një gabim të rëndë politik, duke e quajtur pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Po ashtu, anulimi i kontratës me Contour Global për ndërtimin e termocentralit të ri ka minuar përpjekjet për përmirësimin e kapacitetit energjetik të Kosovës, duke lënë vendin pa alternativa të reja për furnizim afatgjatë”, thotë ndër të tjera deputeti i PDK-së.
Sipas deputetit nga rradhët e PDK-së, qasja e kësaj qeverisje ndaj Amerikës është denigruese.
“Shqetësuese mbetet edhe qasja denigruese ndaj institucioneve simbolike të SHBA-së. Deklaratat për Shtëpinë e Bardhë si “shtëpi e kuqe dhe e verdhë” dhe deformimi i emrit të Amerikës në “Amelika” kanë krijuar një perceptim negativ për seriozitetin e qasjes shtetërore ndaj partnerit kryesor strategjik. Këtyre u shtohet refuzimi i vizitës në Izrael pas njohjes historike të Kosovës, një akt që u pa si neglizhencë për të konsoliduar marrëdhëniet me një aleat të fuqishëm.
Në fushën e mbrojtjes, vendimi për ndalimin e blerjeve ushtarake për FSK gjatë qeverisjes Kurti 1 për 52 ditë dëmtoi seriozisht planet për forcimin e sigurisë kombëtare. Përjashtimi nga stërvitja “Defender Europe 2023” dhe vonesat në certifikimin e kapaciteteve fillestare të ushtrisë janë pasoja direkte të qasjeve të paqëndrueshme”, ka thënë Berisha.
“Planet për vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe politikat për vetqëndrueshmëri ushqimore janë në kundërshtim me ekspertizën e SHBA-së dhe planet e tyre për profesionalizimin gradual të ushtrisë.
Nëse kjo qasje vazhdon, Kosova rrezikon pasoja të rënda, përfshirë reduktimin e investimeve amerikane dhe izolimin diplomatik.
Marrëdhënia me SHBA-në nuk është një zgjedhje opsionale, por garancia themelore e mbijetesës politike dhe ekonomike të vendit. Qeveria e ardhshme duhet të rivendosë respektin ndaj partneritetit strategjik, duke siguruar që interesat kombëtare të mos bien pre e agjendave ideologjike të izoluara nga realiteti gjeopolitik”, thotë tutje Berisha për TV Arbëria.