Në kryeqendrën evropiane, Bruksel, kanë filluar takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me ata të Bashkimit Evropian, ku pritet që të zhvillohet raundi i ri i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit. Ky takim vjen pas dështimit të një takimi trelateral që ishte parapare për për t’u mbajtur me 26 qershor ndërmjet Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, dhe përfaqësuesit të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Jospe Borrell, sepse shefi i Qeverisë së Kosovës, kishte parashtruar tri kushte, për vazhdimin e dialogut. Këto kushte përfshin, “formalizmin e Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”. Për takimin e sotëm, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se do të mbahet me qëllim “zbatimin urgjent” të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, raporton TV Arbëria.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një prononcim për TV Arbëria, ka deklaruar se kjo ndarje mund të dëmtojë koherencën dhe qëndrueshmërinë e pozicionit të Kosovës në procesin e dialogut.
“Kjo qasje e ndarë është sa komplekse aq dhe kontradiktore. Si e tillë mund të dëmtojë koherencën dhe qëndrueshmërinë e pozicionit të Kosovës në procesin e dialogut, duke krijuar konfuzion dhe mundësi për keqpërdorim nga pala serbe dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë. Për një proces të suksesshëm dhe efikas të dialogut, është e rëndësishme që të ketë një qëndrim të përbashkët dhe të qartë nga të gjithë përfaqësuesit e Kosovës”, thotë Berisha.
Tre kushtet e Kurtit i cili i ka vënë gjatë takimit ndërmjet presidentit Vuçiq, dhe përfaqësuesit Josep Borrell, Berisha i konsideron konsum të brendshëm politik dhe efekt elektoral, ku ai e quan lojë të kushtëzimeve për takim dhe thotë se është që t’a ushqejnë kauzën e patriotizmit mashtrues për votë.
“Tre kushtet e vëna gjoja për takim trepalësh, i konsideroj thjesht për konsum të brendshëm politik dhe efekt elektoral. Këtë pretekst për kauzë fiktive po ia ushqejnë edhe “skenaristët e 24 shtatorit”, me logjikën që do e sqaroj me një histori lufte: (Komandanti e pyet snajperistin e njësisë së vet, rreth snajperistit të armikut? Snajperisti i përgjigjet se snajperisti armikut është i dobët, se nuk ka arritur deri më tani të eliminojë asnjë nga tanët. Atëherë pse nuk po e eliminon ti? Sepse armiku mund të sjellë një më profesional). Pra, e tërë kjo lojë e kushtëzimeve për takim (të cilat kanë ndodhur edhe pas mos gjetjes së të zhdukurve, edhe pas 24 shtatorit), është që t’ia ushqejnë kauzën e patriotizmit mashtrues për votë, që ta sjellin në pushtet sërish Kurtin & Co, pas zgjedhjeve të ardhshme, që të implementojnë zotimet e marra tashmë që nga viti 2019, të kodifikuara tanimë në marrëveshje.”
Më tej, ai është shprehur se Kurti është në funksion të Vuçiqit për të arritur qëllimet e Serbisë në Kosovë, ku theksoi edhe qëllimin e Serbisë.
“Albin Kurti është në funksion të Vuçiqit për të arritur qëllimet e Serbisë në Kosovë. Qëllimi i Serbisë është që ta realizojë në plotni marrëveshjen e Brukselit alias Planin franko-gjerman dhe Aneksin e Ohrit dhe kështu të bëjë që Serbia të ndajë pushtetin politik me Kosovën në një pjesë të territorit të saj. Marrëveshjet e pranuara të Albin Kurtit janë kthyer tashmë në detyrime ndërkombëtare për Kosovën.”
Berisha ka thënë për TV Arbëria se kushtet e Kurtit janë kushte që të arrihet qëllimi dhe që t’i mundësohet Serbisë ndarja e pushtetit mbi një pjesë të territorit të Kosovës, teksa shtoi se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë mund të shihet si një tradhëti ndaj interesave kombëtare të Kosovës.
“Kushtet e Kryeministrit janë kushte që të arrihet qëllimi e t’i mundësohet Serbisë ndarja e pushtetit mbi një pjesë të territorit të Kosovës. Pra, nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të Ohrit, që përfshin pikën 7 të vetëmenaxhimit dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe, si dhe privimin e Gjykatës Kushtetuese nga e drejta e interpretimit, mund të çojnë në autonomi territoriale dhe politike për serbët brenda Kosovës. Kjo cenon parimin e unitaritetit dhe sovranitetin politik të vendit, dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mund të shihet si një tradhëti ndaj interesave kombëtare të Kosovës.”
Tutje, deputeti i PDK-së kërkesën për dorëzimin e Milan Radoiçiq dhe grupit terrorist e sheh si të drejtë, por ai konsideron se ky kushtë është që t’i ndihmojë Vuçiqit në politikën e brendshme që ta eliminojë konkurrencën.
“Nga ana tjetër, kërkesa për dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist është legjitime dhe e drejtë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se vetëm EULEX ka marrëveshje për ekstradim dhe jo institucionet e Kosovës. Pra konsideroj se kushti për dorëzimin e Radoiçiqit është kusht që t’i ndihmojë Vuçiqit në politikën e brendshme që ta eliminojë konkurrencën”, tha ai.
Sa i përket kushtit për tërheqjen e letrës së Ana Bërnabiq e cila e ka dorëzuar në BE, Berisha thotë se mund të shihet si një lëvizje për refuzimin e marrëveshjes nga pala kosovare.
“Edhe kushti për tërheqjen e letrës së Ana Bërnabiq dorëzuar në BE më 13 dhjetor 2023, mund të shihet si një lëvizje për të hequr pretekstin për refuzimin e marrëveshjes nga pala kosovare. Kjo mund të dobësojë më tej pozicionin e Kosovës në negociata dhe të lehtësojë presionin ndaj Serbisë për të zbatuar angazhimet e saj.”
Berisha, thirrjen e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjeve tashmë të pranuara dhe të detyrueshme ndërkombëtarisht, e sheh thjesht lojë fjalësh që ta shesë tradhëtinë që i ka bërë vendit.
“Kryeministri Kurti vetëm nëse e thërret parlamentin të marrë vendim që të dalë prej të gjitha marrëveshjeve, atëherë kishte me bërë punën më të mirë. Suma sumarum, thirrja e tij për nënshkrim të marrëveshjeve tashmë të pranuara dhe të detyrueshme ndërkombëtarisht, është thjesht lojë fjalësh që ta shesë tradhtinë që i ka bërë vendit.”
Nërkaq, ai thotë se refuzimi i takimit trepalës, është në favor të Kosovës, teksa ka shtuar se çdo vonesë do e sjellë Kosovën para kushteve edhe me të dëmshme.
“Kurse sa i përket refuzimit të takimit trepalësh, dua të shtoj se dialogu është në favor të Kosovës. Statusquoja është në interes të Serbisë e Rusisë, ka konstatuar edhe vetë DASH. Çdo vonesë do e sjellë Kosovën para kushteve edhe më të dëmshme, siç ka ndodhur edhe me vonesat nga 2015 e me theks tani kur ka zhvillime që cenojnë sigurinë globale me theks ato të karakterit ekspanzionist të Rusisë në territorin e Ukrainës. Po ashtu, takimi krijonte premisa sipas opinioneve për mundësinë që Kosovës t’i hiqen masat edhe të përfitojë nga buxheti i alokuar nga BE për vendet e BP, ku Kosova pritej të përfitonte rreth një miliard.”
Sipas tij, sjellja e Kurtit duke refuzuar takimin i shërben mbetjes së këtyre masave.
“Prandaj, sjellja e Kurtit duke refuzuar takimin i shërben mbetjes së këtyre masave, në emër të jokonstruktivitetit në dialog, me çka rrezikon masa tjera edhe në fushën e sigurisë.
Në ketë frymë është edhr reagimi i presidentes, pikërisht për faktin se e ka lexuar situatën, ndaj po provon shpëtimin e saj, mbase edhe të vetvetes në proces.”
Ai thekson se një reagim të tillë pati Presidentja edhe kohë më parë kur mësoi se qeveritarë të caktuar dhe vetë Kurti rrezikojnë të publikohen në listat e zeza të DASH.
“Një reagim të tillë pati Presidentja edhe kohë më parë kur mësoi se qeveritarë të caktuar dhe vetë Kurti rrezikojnë të publikohen në listat e zeza të DASH. Prandaj edhe doli me misionin e shpëtimit të Kurtit nga nongrata. E me këtë reagim po mundohet të shpëtojë veten nga koalicioni quisling anti-shtet i pavarur i Kosovës”, ka deklaruar Berisha për TV Arbëria.