Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Berisha: Moskonstituimi i Kuvendit po i sjell pasoja të mëdha Kosovës – rrezikohen fondet e BE-së dhe siguria e shtetit

Berisha: Moskonstituimi i Kuvendit po i sjell pasoja të mëdha Kosovës – rrezikohen fondet e BE-së dhe siguria e shtetit

Pas vendimit të Komisionit Evropian për të miratuar pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nga paketa e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, është bërë e ditur se Kosova nuk mund të përfitojë nga kjo mbështetje financiare për shkak të mungesës së institucioneve funksionale që do të mund të nënshkruanin marrëveshje formale me Bashkimin Evropian.

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka komentuar për Arbëria TV rreth pasojave të kësaj situate për Kosovën, duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë që ka kriza institucionale në integrimin evropian dhe sigurinë e vendit.

“Kosova me mos konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë do futet në probleme edhe më të mëdha të cilat do ta rëndojnë jetën e qytetarëve, rrjedhimisht kjo vonesë për konstituim të institucioneve do t’i sjell pasoja të mëdha vendit, përfshirë edhe përfitimin nga plani i rritjes i BE-së duke i nxjerr shumë pengesa Kosovës në raport me planin e BE-së, por edhe shumë tema të tjera në raport Kosovë-BE”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka paralajmëruar se situata aktuale ka ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rrezikon humbjen e fondeve të rëndësishme nga BE-ja.

“Padyshim se situata e brishtë politike në vend do të ketë ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të Kosovës sepse sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim, Kosova parashihej që të ketë një zhvillim ekonomik mbi katër për qind në vitin 2025, mirëpo ngërçi politik i krijuar tash e sa muaj si duket do të ndikojë në uljen e zhvillimit, njëherit Kosova me gjendjen e krijuar politike po rrezikon të humbasë miliona euro edhe në fonde dhe projekte të BE-së”.

Berisha shtoi se pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por lidhen edhe me sigurinë kombëtare.

“Moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë ka impakt shumë të madh në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe të integrimit evropian. Moskonstituimi i Kuvendit është në disfavor të shtetit tonë dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen e sigurisë së Kosovës dhe nuk duhet harruar faktin se një shtet ku ka krizë politike, probabiliteti se mund të rrezikohet siguria nuk duhet neglizhuar, prandaj mendoj se është koha e fundit për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë në mënyrë që shteti të funksionojë në tri shtyllat kryesore: siguri, ekonomi dhe diplomaci”, përfundoi ai.