Në vitin 2019 kishte filluar një nismë rajonale ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë e quajtur “mini-shengeni” ballkanik ose Ballkani i Hapur. Qëllimi i saj ishte intensifikimi i mallrave, kapitalit dhe lëvizjes së njerëzve. Ndër kritikat kryesore, sidomos nga Kosova ishte se si e tillë ajo i shërben interesave ekonomike të Serbisë dhe po ashtu tenton ta relativizojë rolin e Procesit të Berlinit. Ndaj “Ballkanit të Hapur” përpos Kurtit një qëndrim kritik ndaj kësaj nisme kishin mbajtur partitë opozitare, shkruan TV Arbëria.
Mirëpo, me marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga ish-kryeministri Hoti dhe ish- presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator të vitit 2020, Kosovës i kërkohet që të bëhet pjesë e “zonës së mini-Schengenti” dhe t’i shfrytëzojë plotësisht përfitimet nga ajo.
Lidhur me këtë çështje, deputeti i PDK-së Hisen Berisha, në një prononcim për TV Arbëria tha se meqë Trump po rikthehet në pushtet, mund të riinicohet ideja që Ballkani i Hapur të vihet sërish në qendër të vëmendjes, pasi që është e theksuar edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Meqë administrata Trump po rikthehet në pushtet, mund të riinicohet ideja që Ballkani i Hapur të vihet sërish në qendër të vëmendjes, pasi që është e theksuar edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit me specifika tjera garantuese, ku fjalën kryesore e kanë SHBA-të dhe Kosova të jetë palë e barabartë me të gjitha shtetet inicuese. Kjo lidhet drejtëpërdrejtë me statusin e Kosovës dhe njohjen e ndërsjellë me shtetet nënshkruese”, tha ai.
Sipas tij, kjo nismë fillimisht ka pasur mbështetjen e administratës Trump.
Tutje, ai thekson se Ballkani i Hapur Hapur shihet nga disa si një projekt që synon të hapë kufijtë për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, por që ka ngjallur dyshime për mënyrën se si do të ndikojë në Kosovë dhe në barazinë e shteteve të rajonit.
“Kjo nismë fillimisht pati mbështetjen e administratës Trump, duke intensifikuar rolin determinues e garantues të SHBA-së dhe statusin e palës nënshkruese si shtet i barabartë e i njohur me shtetet inicuese e nënshkruese, të Republikës së Kosovës, ç’gjë e shihte si një mënyrë për të promovuar stabilitetin ekonomik dhe politik në Ballkan përmes rritjes së bashkëpunimit rajonal. Ballkani i Hapur shihet nga disa si një projekt që synon të hapë kufijtë për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, por që ka ngjallur dyshime për mënyrën se si do të ndikojë në Kosovë dhe në barazinë e shteteve të rajonit. Me theks të raportit të këtyre shteteve, veçanërisht të Serbisë, me Kosovën, ku mungesa e njohjes së ndërsjellë mbetet një pengesë për ecje tutje ose do të jetë një ecje e sfiduar”, është shprehur ai.
Berisha potencon se pas alrgimit të administratës republikane dhe përfundimit të qeverisjes Trump, kjo temë nuk është trajtuar më me intensitetin e mëparshëm., derisa thotë se kjo dëshmon kualifikimin që i ka bërë që në fillim, si veprim revanshues ndaj mos pranimit në BE për shkak të dështimit në përmbushjen e standardeve dhe kritereve për pranim.
“Pas largimit të administratës republikane dhe përfundimit të qeverisjes Trump, kjo temë nuk është trajtuar më me intensitetin e mëparshëm. Ndërkohë, qasja e Shqipërisë dhe Serbisë ndaj nismës është shfaqur në mënyrë të ndryshme, duke reflektuar interesat e tyre të brendshme dhe rajonale. Kjo po dëshmon kualifikimin që i kam bërë që në fillim, si veprim revanshues ndaj mos pranimit në BE për shkak të dështimit në përmbushjen e standardeve dhe kritereve për pranim”, deklaroi Berisha.
Ai thotë se kryeministri Rama është shprehur për përmbylljen e këtij projekti, por ky qëndrim mund të ndryshojë nëse mbështetja amerikane rinovohet.
Mes tjerash ai thotë se, kjo ishte kërcënim për BE-në dhe SHBA-në e administratës Trump, ndaj të cilës qeveritë ballkanike kishin qëndrime të pamatura se “Open Ballkani” apo “Minishengeni Ballkanik” mund të orientohej politikisht dhe ekonomikisht kah Unioni Euroaziatik.
“Kryeministri Rama është shprehur për përmbylljen e këtij projekti, por ky qëndrim mund të ndryshojë nëse mbështetja amerikane rinovohet. Por, meqë kjo ishte kërcënim për BE-në dhe SHBA-në e administratës Trump, ndaj të cilës qeveritë ballkanike në Tiranë, Beograd, Shkup, me pak klithma edhe në Mal të Zi e Bosnje, kishin qëndrime të pamatura, se “Open Ballkani” apo “Minishengeni Ballkanik” mund të orientohej politikisht dhe ekonomikisht kah Unioni Euroaziatik. Sot, ky revanshizëm mund t’i çojë në BRICS, gjë që do të shënonte fundin e tyre si shtete në rendin e ri botëror. Besoj se Shqipëria e ka marrë mesazhin e duhur pas luftës në Ukrainë dhe situatës në të cilën ndodhen vendet e Skandinavisë dhe Arktikut.”
Sipas vlerësimit të tij, Kosova ka të drejtë të ketë një qasje të kujdesshme ndaj Ballkanit të Hapur, duke marrë në konsideratë interesat e saj ekonomike dhe politike.
“Kosova ka të drejtë të ketë një qasje të kujdesshme ndaj Ballkanit të Hapur, duke marrë në konsideratë interesat e saj ekonomike dhe politike. Kritikat e Kosovës dhe të partive opozitare janë të bazuara në shqetësimet për ndikimin e nismës në ruajtjen e barazisë ndërmjet vendeve të rajonit dhe në trajtimin e çështjeve të ndjeshme politike dhe ekonomike, veçanërisht kur është fjala për raportet me Serbinë”, tha ai.
Më tej, ai theksoi se refuzimi i prerë që i bëri Presidenti Thaçi atëbotë çdo përfshirjeje në Ballkanin e Hapur ka bërë që Kosova të mund të vazhdojë të fokusohet në Procesin e Berlinit.
“Refuzimi i prerë që i bëri Presidenti Thaçi atëbotë çdo përfshirjeje në Ballkanin e Hapur ka bërë që Kosova të mund të vazhdojë të fokusohet në Procesin e Berlinit, një kornizë më e strukturuar dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, e cila synon të promovojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Marrëveshja e fundit për treg të përbashkët rajonal, e nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit, përbën një hap konkret drejt integrimit ekonomik në përputhje me standardet evropiane.”
Berisha deklaroi se Kosova mund të pranojë të shqyrtojë elemente specifike të Ballkanit të Hapur, nëse ato janë në interes lokal që nuk përfshihen në domenin e Procesit të Berlinit dhe BE-së, me kusht që të sigurohet se pjesëmarrja e saj nuk komprometon statusin e saj sovran dhe që nisma harmonizohet me proceset e integrimit evropian.
“Në një kontekst të ri, të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe njohjen e ndërsjellë me ratifikimin ndërkombëtar të kufirit Kosovë-Serbi, duke hapur rrugët për integrim në BE dhe NATO, Kosova mund të pranojë të shqyrtojë elemente specifike të Ballkanit të Hapur, nëse ato janë në interes lokal që nuk përfshihen në domenin e Procesit të Berlinit dhe BE-së, me kusht që të sigurohet se pjesëmarrja e saj nuk komprometon statusin e saj sovran dhe që nisma harmonizohet me proceset e integrimit evropian. Kjo qasje do të tregonte një qëndrim të matur dhe pragmatik, duke i dhënë përparësi përfitimeve praktike dhe duke ruajtur njëkohësisht integritetin dhe objektivat afatgjata të Kosovës“, është shprehur ai.
Ttutje, Berisha thotë se çelësi për Kosovën është të mbajë një qëndrim të balancuar dhe të reflektojë me kujdes për secilën nismë rajonale.
“Si përfundim, çelësi për Kosovën është të mbajë një qëndrim të balancuar dhe të reflektojë me kujdes për secilën nismë rajonale, duke e parë atë përmes prizmit të përfitimeve konkrete dhe të ndikimit të saj në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, përfundoi Berisha për TV Arbëria.