Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Berisha: Gjuha e Hovenier tregon se po përfundon durimi i SHBA-ve me Kosovën

Berisha: Gjuha e Hovenier tregon se po përfundon durimi i SHBA-ve me Kosovën

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka komentuar mesazhin e fundit të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier në Prishtinë për Qeverinë e Kosovës.

Berisha në një prononcim për TV Arbëria ka deklaruar se ky mesazh është një paralajmërim serioz dhe një sinjal i qartë për qeverinë e Kosovës se veprimet apo qëndrimet e saj të fundit po dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Deklarata e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, ku ai përdor frazën e drejtpërdrejtë “mos urinoni në derën e klubit ku doni të hyni,” është një paralajmërim serioz dhe një sinjal i qartë për qeverinë e Kosovës se veprimet apo qëndrimet e saj të fundit po dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara”, është shprehur Berisha.

Sipas tij, kjo deklaratë ka ardhur si pasojë e frustrimit të vazhdueshëm të SHBA-së me disa politika dhe qasje të Qeverisë së Kosovës, teksa thotë sidomos në kontekstin e mosrespektimit të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Kjo deklaratë ka ardhur si pasojë e frustrimit të vazhdueshëm të SHBA-së me disa politika dhe qasje të Qeverisë së Kosovës, sidomos në kontekstin e mosrespektimit të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin ndërkombëtar, apo ngurrimit për të përmbushur angazhimet e dakorduara në dialogun me Serbinë që i kanë kaluar procedurat kushtetuese të ratifikimit. SHBA është mbështetës kyç i Kosovës, duke investuar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht për të siguruar suksesin e saj si shtet i pavarur. Megjithatë, kjo mbështetje nuk është e pakushtëzuar”, tha ai për TV Arbëria.

Berisha vlerëson se kur një diplomat i një fuqie si SHBA përdor gjuhë kaq të fortë dhe figurative, është një sinjal i qartë se durimi i aleatit më të madh të Kosovës po përfundon.

“Raportet mes SHBA-së dhe Kosovës, duken të ftohura në një masë për shkak të disa mosmarrëveshjeve të fundit. Deklarata e ambasadorit Hovenier tregon qartë se SHBA po kërkon veprime konkrete nga Kosova, dhe se refuzimi i qeverisë për t’i përmbushur këto kërkesa mund të ketë pasoja. Kur një diplomat i një fuqie si SHBA përdor gjuhë kaq të fortë dhe figurative, është një sinjal i qartë se durimi i aleatit më të madh të Kosovës po përfundon.”

Më tej, ai thekson se në vend të përshkallëzimit të konfliktit me partnerët strategjikë, është më e udhës që Kosova të rishikojë veprimet e saj dhe të angazhohet seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra në arenën ndërkombëtare.

“Kjo situatë kërkon reflektim nga qeveria e Kosovës, sepse çfarëdo tensioni ose ftohjeje e marrëdhënieve me SHBA mund të ketë pasoja të rënda për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Në vend të përshkallëzimit të konfliktit me partnerët strategjikë, është më e udhës që Kosova të rishikojë veprimet e saj dhe të angazhohet seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra në arenën ndërkombëtare”, perfundoi Berisha për TV Arbëria.

Powered by WordPress