Sali Berisha ka paralajmëruar zhvillimin e protestave për atë që ai e cilëson “rrëzimin e regjimit të korruptuar të Ramës”.
Në një konferenc për mediat, Berisha tha se protestat janë e vetmja mënyrë për rrëzimin e kësaj qeverie që sipas tij ka arritur të cënojë edhe marrëdhëniet me SHBA përmes veprave kriminale duke korruptuar ish zyrtarin e FBI-së.
“Çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, është faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ndaj siç kam deklaruar, përsëris edhe njëherë vendosmërinë e PD për të udhëhequr revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore të paparë ndonjëherë më parë në Shqipëri.
Kjo ishte çështja kryesore që unë doja të sillja pra jush. Natyrisht ka një seri problemesh të tjera, por kjo kalon çdo problematikë, është problem botëror, është rasti kur Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni për shkak të akteve të turpshme kriminale të kryera nga Edi Rama ndaj zyrtari shumë të lartë të qeverisë së SHBA”, tha Berisha.
Lidhur me çështjen McGonigal, Berisha tha se PD do të ngre nje Komision Hetimor Parlamentar për mbledhjen e çdo informacioni lidhur me aktivitetin e oligarkut rus në vendin tonë nga viti 2018 deri në fund të vitit 2022 dhe më pas do ia dërgojë SHBA.
“PD-ja ndërkohë do të krijojë Komision Hetimor Parlamentar me qëllimin, për bashkëpunimin të ngushtë me autoritetet e SHBA-së në zbardhjen në çdo detaj të kësaj afere që ka tronditur SHBA, NATO-n dhe gjithë botën e lirë.PD-ja po mbledh dhe do dërgojë të gjithë informacionin, sepse në shkelje flagrante të sanksioneve ndaj mikut të tij, mikut të Vladimir Putinit, Oleg Deripaska, i lidhur direkt në aferën McGonigal, Deripaska ka vazhduar aktivitetin i pashqetësuar për katër vite që nga momenti i vendosjes së sanksioneve, nga viti 2018 deri në fund të vitit 2022, i paturbuar. Me lobimin apo jo të Charles McGonigal këtë duhet ta sqarojë drejtësia e SHBA. Por ne jemi të vendosur të japim kontributin tonë”, tha Berisha. /rtsh.al/