Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Berisha: Dështimi në njohjet e reja të Kosovës, përgjegjësi e diplomacisë së vendit

Berisha: Dështimi në njohjet e reja të Kosovës, përgjegjësi e diplomacisë së vendit

Kanë kaluar që katër vite që Kosova nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje ndërkombëtare. E fundit në këtë drejtim ishte ajo e Izraelit me rastin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Në një mënyre gjatë këtij harku kohor, Kosova është gjendur një status quo, sa i përket aspektit dimensionit ndërkombëtar të shtetësisë. Duke shtuar edhe faktin se është bllokuar edhe zbatimi i Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që po ashtu konsiderohet si kusht i agjendës integruese euro-atlantike.

Në një prononcim për TV Arbëria, deputeti i Partisë Demokratike Hisen Berisha, ka deklaruar se arsyet e të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës janë të ndërlidhura me disa faktorë.

I njëjti thekson se së pari situata gjeopolitike globale ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, me rivalitetin në rritje ndërmjet fuqive të mëdha si SHBA, Rusia dhe Kina, së dyti Berisha potencon se Serbia e përkrahur nga Rusia dhe Kina, ka intensifikuar lobimin e saj kundër njohjeve të reja, duke u përpjekur të delegjitimojë shtetësinë e Kosovës në forumet ndërkombëtare.

“Arsyet e stagnimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës janë të ndërlidhura me disa faktorë.

Së pari, situata gjeopolitike globale ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, me rivalitetin në rritje ndërmjet fuqive të mëdha si SHBA, Rusia dhe Kina, që ka ndikuar në pozicionimet e disa vendeve ndaj çështjes së njohjeve.”

“Së dyti, Serbia, e përkrahur nga Rusia dhe Kina, ka intensifikuar lobimin e saj kundër njohjeve të reja, duke u përpjekur të delegjitimojë shtetësinë e Kosovës në forumet ndërkombëtare. Një tjetër faktor është dhe mungesa e një qasjeje proaktive dhe efektive nga ana e diplomacisë kosovare për të zgjeruar rrjetin e njohjeve dhe për të avancuar në arenën ndërkombëtare. Kurse vonesat politike në proces me veprime e vendime politike që shkaktojnë status quo, e kthejnë Kosovën në target pasiv të këtyre zhvillimeve determinuese, nuk trajtohen në kontekst të njohjes së pavarësisë, por si çështje e statusit!”, tha ai.

Berisha theksoi se dështimi për të siguruar njohje të reja është në një masë përgjegjësi e diplomacisë kosovare, por nuk mund të shihet vetëm si një problem i brendshëm, pasi sipas tij ky proces kërkon koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“Dështimi për të siguruar njohje të reja është në një masë përgjegjësi e diplomacisë kosovare, por nuk mund të shihet vetëm si një problem i brendshëm.
Ky proces kërkon koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, është shprehur Berisha.

Sipas vlerësimit të tij diplomacia e Kosovës duhet të rifokusojë përpjekjet e saj në qasje strategjike dhe lobim aktiv në ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Diplomacia e Kosovës duhet të rifokusojë përpjekjet e saj në qasje strategjike dhe lobim aktiv në ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke përfshirë edhe ato që janë të ndikuara nga kundërshtimi i Serbisë. “

Berisha thotë se për të zhbllokuar këtë proces, është e domosdoshme që Kosova të ndërtojë marrëdhënie më të afërta diplomatike me vendet që e rrisin kuantitativisht numrin e njohjeve.

“Për të zhbllokuar këtë proces, është e domosdoshme që Kosova të ndërtojë marrëdhënie më të afërta diplomatike me vendet që e rrisin kuantitativisht numrin e njohjeve, si shtetet e Unionit Afrikan, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe vendeve të Amerikës Latine, si dhe të përforcojë kapacitetet e veta diplomatike në arenën globale. Gjatë përfaqësimit në konferencën ndërkombëtare Afrikë-Europë, për çështje të emigrimit, e pashë të mundur bashkëpunimin shumëdimensional me këto shtete, por edhe mundësitë për njohje të shtetit të Kosovës, gjë e cila s’ka ndodhur mu për mungesë të kontakteve dhe lobimit aktiv institucional”, theksoi Berisha për TV Arbëria.

Më tej, deputeti thotë se nuk beson qe janë shterur mundësitë e komunitetit euro-atlantik për të ndihmuar Kosovën.

“Nuk besoj se janë shterur mundësitë e komunitetit euro-atlantik për të ndihmuar Kosovën, por është e qartë dhe këtë doktrinë duhet ta kenë të qartë edhe politikbërësit vendorë, se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në suportimin nga jashtë për të avancuar pozicionin e saj ndërkombëtar. Nga kontaktet dhe pas fjalës time në konferencën afrikano-evropiane në Bengazi të Libisë, lexohej fakti se disa vende që nuk e kanë njohur ende Kosovën e shohin shtetësinë e saj si një produkt të një rendi të dominuar nga Perëndimi”, potencoi Berisha.

Ai vlerëson se është e nevojshme që Kosova të zhvillojë një politikë të jashtme shumëdimensionale dhe të demonstrojë se është një aktor ndërkombëtar konstruktiv dhe sovran.

“Prandaj, për t’i bindur ato vende dhe jo vetëm, për të ndryshuar qëndrimin e tyre, është e nevojshme që Kosova të zhvillojë një politikë të jashtme shumëdimensionale dhe të demonstrojë se është një aktor ndërkombëtar konstruktiv dhe sovran, i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal”, është shprehur ai.

Tutje, ai deklaron se Kosova duhet të përmirësojë imazhin e saj në kontekstin global, duke demonstruar funksionimin e saj si shtet demokratik dhe të qëndrueshëm.

“Kosova duhet gjithashtu të përmirësojë imazhin e saj në kontekstin global, duke demonstruar funksionimin e saj si shtet demokratik dhe të qëndrueshëm. Pa pretenduar me kujdes të lartë që të ngjajë në veprim me asnjë element të regjimeve të përendura tashmë. Kosova duhet të portretizohet në proces si një vend që përligj vlerat e BE-së në frymën e integrimeve euroatlantike dhe aleancës së përjetshme me SHBA”, përfundoi Berisha për TV Arbëria.

Powered by WordPress