Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Berisha: BE-ja nuk po e shpërblen Kosovën, por po i jep një shans të fundit për korrigjim kursi

Berisha: BE-ja nuk po e shpërblen Kosovën, por po i jep një shans të fundit për korrigjim kursi

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se ky hap nuk duhet parë si fitore diplomatike.

Sipas Berishës, vendimi i BE-së është më shumë një sinjal paralajmërues sesa një sukses i plotë.

“Heqja e 50% të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk përbën një sukses të plotë diplomatik, por më tepër një sinjal paralajmërues”, ka shkruar ai.

Ai thekson se BE-ja po teston institucionet e Kosovës, duke lehtësuar presionin, por pa hequr përgjegjësinë.

“BE-ja po e teston Kosovën: po e lehtëson presionin, por nuk po e heq përgjegjësinë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, masat e hequra lidhen kryesisht me bashkëpunimin financiar, projektet zhvillimore dhe komunikimin politik, ndërsa çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura.

“Pjesa thelbësore e kufizimeve mbetet e lidhur me veriun, dialogun me Serbinë dhe deeskalimin e qëndrueshëm të situatës atje”, ka theksuar ai.

Berisha nënvizon se detyrimet e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë nuk janë zbutur.

“Zbatimi i marrëveshjeve të dialogut, krijimi i një zgjidhjeje funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, rikthimi i besimit me SHBA-në dhe BE-në, si dhe shmangia e veprimeve të njëanshme, mbeten kushte të panegociueshme”, ka shkruar kandidati i PDK-së.

Në fund, ai paralajmëron se interpretimi i këtij vendimi si fitore politike mund të ketë pasoja.

“Nëse Qeveria vazhdon ta interpretojë këtë vendim si ‘fitore politike’, rrezikon që pjesa e mbetur e masave të rikthehet në presion edhe më të fortë. BE-ja nuk po e shpërblen Kosovën, por po i jep një shans të fundit për korrigjim kursi”, ka përfunduar Berisha.