Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, për deklarimet e fundit rreth çështjes së mundësisë për sulme të reja nga ana e Serbisë në Kosovë, thotë se doktrina e politikës së frikës shpesh përdoren për të bashkuar qytetarët rreth lidershipit, raporton TV Arbëria.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një prononcim për TV Arbëria, në lidhje me deklaratën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se kanë informata të sakta se Serbia po pregatitet për sulme të reja ndaj Kosovës, Berisha shpreson që të flitet për informacione të sakta në deklarimet e tyre, ku sipas tij ato sygjerojnë se institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke monitoruar situatën me kujdes.
“Doktrina e politikës së frikës shpesh përdoren për të bashkuar qytetarët rreth lidershipit.
Sikur të mund të flitej për informacione të sakta në deklarimet e tyre, atëherë ato sugjerojnë se institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke monitoruar situatën me kujdes. Kjo do të përfshinte informacione nga inteligjenca vendore dhe ndërkombëtare.
Por nëse i referohemi praktikave të regjimeve të majta sociale dhe totalitare, atëherë duhet “ruajtur nga lideri (politik) që i bie daulleve të luftës për të nxitur qytetarët në zjarr patriotik””, është shprehur Berisha.
Ai vlerëson se qeveria aktuale është duke u frikësuar dhe sipas tij, këto deklarata të lëshuara nga krerët e shtetit janë duke u bërë për të forcuar pozicionin politik të qeverisë apo për të konsoliduar mbështjetjen publike.
“Doktrina e politikës së frikës na udhëzon se megjithatë, këto deklarata duhet shqyrtuar nëse janë pjesë e një strategjie për të forcuar pozicionin politik të qeverisë apo për të konsoliduar mbështetjen publike. Kërcënimet e jashtme shpesh përdoren për të bashkuar qytetarët rreth lidershipit të tanishëm”, deklaroi deputeti i PDK-së për TV Arbëria.
Sipas vlerësimit të Berishës, rikthimi i retorikës së luftës me rezolutë të KS/OKB, është i qëllimshëm, teksa tha se gjatë qeverisjes së koalicionit të udhëhequr nga LVV, Kosova ka falimentuar në disa fusha.
“Rikthimi i retorikës së luftës, nga drejtuesit kryesorë të shtetit në rrethanat e sigurisë së garantuar nga PUN (Prania Ushtarake Ndërkombëtare) në vend, me rezolutë të KS/OKB, është i qëllimshëm, ngase gjatë qeverisjes së koalicionit të udhëhequr nga LVV, Kosova është falimentuar në aspektin ekonomik, social, zhvillimor, infrastrukturor, politik, legjislativ, demografik dhe atë të sigurisë e mbrojtjes”, tha ai.
Tutje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka akuzuar qeverinë Kurti duke thënë se në secilin veprim apo vendim politik që ka ndërmarrë kjo qeveri, është duke i kontribuuar zhbërjes së shtetit të Kosovës.
“Në çdo veprim a vendim politik që kanë ndërmarrë që nga tetori 2019 kur i fituan zgjedhjet, e deri në fund të këtij mandati që po afron, po i kontribuojnë defunksionalizimit institucional dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës.”
Retorika ireale e pushtetarëve, Berisha thotë se është vetëm në dëm të vendit tonë, sepse sipas tij, askush nuk investon në një vend që pritet të sulmohet apo të ketë vazhdimisht trazira. Ndërkohë që Serbia ka stisur tensione të vazhdueshme, një sulm i drejtpërdrejtë mbetet një hap i madh dhe i rrezikshëm për Serbinë.
“Kjo retorikë ireale e pushtetarëve është veç në dëm të Kosovës sepse kjo do të largojë investitorët e mundshëm dhe investimet nga jashtë. Askush nuk investon në një vend që pritet të sulmohet apo të ketë vazhdimisht trazira.
Ndërkohë që Serbia ka bërë disa lëvizje të dyshimta dhe ka stisur tensione të vazhdueshme, një sulm i drejtpërdrejtë mbetet një hap i madh dhe i rrezikshëm për Serbinë, e cila nga viti 1999, duhet t’i konsiderojë pasojat ndërkombëtare dhe mundësinë e ndërhyrjes nga NATO dhe BE.”
Më tej, ai thekson se Serbia ende vepron sipas doktrinave dhe konceptit lindor rus, pra demonstrimit të forcës ndaj shtetit nga i cili pret sulm apo pretendon ta sulmojë.
“Kurse sa i përket vendbazimeve ushtarake të Serbisë, po flasim për një shtet sovran që organizimin e sistemimin e Forcave e strategjizon vetë. Edhe stërvitjet ushtarake i bën me planifikim autonom. Serbia ende vepron sipas doktrinave dhe konceptit lindor rus, pra demonstrimit të forcës ndaj shtetit nga i cili pret sulm apo pretendon ta sulmojë.
Kurse NATO që nga viti 1991, e ka doktrinë lufte ndërprerjen e rrugëve logjistike për t’i detyruar në dorëzim forcat agresore, siç ndodhi me Serbinë në luftën e UÇK-së dhe me Marrëveshjen e Kumanovës.”
Berisha potencon se për Kosovën është e rëndësishme që të ruhet mbështetja e BE-së, NATO-s dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë të Kosovës, për integritetin territorial të Kosovës.
“Për Kosovën është me rëndësi që të ruhet mbështetja e BE-së, NATO-s dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë të Kosovës, për integritetin territorial të Kosovës. Një sulm nga Serbia do të rezultonte në një përgjigje të ashpër nga këta aktorë.”
Deputeti i PDK-së është pyetur rreth pregatitjes së Kosovës kundrejt sulmeve të cilat po përfliten, ai thotë thekson disa pika kyçe, teksa shtoi se duhet urgjentisht të kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit sqarime dhe të diskutohet për rrezikun që ai është duke paralajmëruar.
“Po shtrohet çështja se ku është Kosova me përgatitjet për një situatë të paralajmëruar vazhdimisht nga lidershipi i vendit?!
Pra, duhet urgjentisht të kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit sqarime dhe të diskutojmë për rrezikun që po paralajmëron ai, nëpër media dhe në takimin me Presidentin e Zvicrës.
Pra të kërkojmë nga ai informacione shtesë;
Si komision për siguri e mbrojtje, duhet të ftojmë kryetarin e KSK-së dhe të marrim informacionet nga ai gjithashtu; edhe Ministrin e Mbrojtjes dhe Komandantin e FSK-së, që të na tregojnë se:
Duhet ditur se çfarë masash po merr qeveria lidhur me këtë informacion shqetësues që kanë?
Sa rezervistë i kemi kaluar në gjendje aktive, pra janë mobilizuar?
Sa dhe a janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë të QUINT dhe PUN?
Sa i kanë shtuar resurset në armatim, pajisje, e njerëz?
Çfarë shkalle mobilizimi kanë bërë?
Çfarë kapacitetesh luftarake janë të gatshme për veprim?
A është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë?
A janë njoftuar krerët e opozitës për këtë rrezik? E tjera…?!”, tha ai.
Sai përket çështjes së kapaciteteve të FSK-s, Berisha është shprehur se mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë janë të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të saj, kështu që sipas vlerësimit të tij, bashkëpunimi me NATO-n dhe aleatët tjerë është kritik për të siguruar mbrojtje të plotë në rast të një sulmi.
“Pra, FSK ka bërë përparime të mëdha në trajnim dhe pajisje, por ende është në proces të transformimit në një ushtri të plotë. Mbështetja dhe trajnimi nga partnerët ndërkombëtarë janë të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të saj. Kështu që bashkëpunimi me NATO-n dhe aleatët tjerë është kritik për të siguruar mbrojtje të plotë në rast të një sulmi. Ushtrimet e përbashkëta dhe ndarja e informacionit janë thelbësore.
Kosova si shtet i duhet një sistem i Alarmit dhe Mbrojtjes Civile në emër të parandalimit. Krijimi i një sistemi efektiv të alarmit dhe përgatitjes së popullsisë civile për situata emergjente do të ndihmojë në zvogëlimin e pasojave të një sulmi të mundshëm. Edukimi dhe trajnimi i qytetarëve për situata emergjente duhet të jetë prioritet.”
Ai ka deklaruar se Kosovës i duhet të bëjë diplomaci proaktive, duke u nisur nga komoditeti në siguri që na jep rezoluta e KS/OKB e cila mandaton NATO/KS.
“Prandaj, duke u nisur nga komoditeti në siguri që na jep rezoluta e KS/OKB e cila e mandaton NATO/KS, Kosovës i duhet të bëjë diplomaci proaktive.
Përpjekjet për dialog e diplomaci proaktive me Serbinë, BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të intensifikohen. Kjo përfshin punën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe ratifikuara në Kuvend, për të gjetur zgjidhje paqësore për çështjet e hapura”, është shprehur ai.
Sipas tij, sigurimi i mbështetjes për Kosovën është i rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar çdo veprim të njëanshëm nga agresioni serb.
“Sigurimi i mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë për Kosovën është i rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar çdo veprim të njëanshëm nga Serbia.
Nëse i shohim këto deklarime, në prizmin e ambicieve mesjetare të Serbisë ndaj Kosovës, atëherë është e ditur se në një konstelacion rrethanash të përshtatshme, Serbia nuk i fsheh synimet e veta.”
Berisha thotë se infiltrimi invaziv ushtarak i forcave serbe në formacione terroriste duhet të intensifikojë seriozitetin e qeverisë në politikat e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Infiltrimi invaziv ushtarak i forcave serbe në formacione terroriste duhet të intensifikojë seriozitetin e qeverisë në politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, të investojë në modernizimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të përmirësojë infrastrukturën mbrojtëse. Ky proces duhet të përfshijë pajisje të reja, teknologji të avancuar dhe trajnime të specializuara. Investimi në teknologjitë e vëzhgimit dhe alarmit të hershëm mund të ndihmojë në zbulimin e aktiviteteve të dyshimta dhe të japë paralajmërime të hershme për kërcënimet e mundshme.”
Sipas vlerësimit të tij, prioritet për Kosovën është rritja e rezervës luftarake dhe orientimi në industrinë e mbrojtjes, poashtu dhe rritja e trajnimeve dhe bashkëpunimit me NATO.
“Rritja e rezervës luftarake dhe orientimi në industrinë e mbrojtjes duhet të jenë prioritet. Rritja e trajnimeve dhe bashkëpunimit me NATO dhe ushtritë aleate do të forcojë aftësitë ushtarake të Kosovës dhe do të sigurojë një përgjigje të shpejtë dhe efektive në rast të një kërcënimi.
Po ashtu, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi me agjencitë ndërkombëtare të inteligjencës do të ndihmojë në identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve para se ato të realizohen.”
Pas këtyre tensioneve, si përgjigje NATO ka vendosur të shtojë numrin e trupave në Kosovë për të ndihmuar në stabilizimin e situatës.
“Në përgjigje të këtyre tensioneve, NATO ka vendosur të shtojë numrin e trupave në Kosovë për të ndihmuar në stabilizimin e situatës dhe për të mbështetur paqeruajtësit ekzistues të KFOR-it, që tashmë janë në rajon”, është shprehur ai.
Berisha thekson se edhe komuniteti ndërkombëtar duke përfshirë ShBA-t dhe BE-në, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog për të shmangur përhskallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Ndërkohë, edhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Ky reagim unik për Kosovën është i rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar çdo veprim të njëanshëm nga Serbia”, përfundoi Berisha për TV Arbëria.