Profesori dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Berim Ramosaj, në një prononcim për Tv Arbëria, e ka pranuar se deri më tani Kosova nuk është trajtuar si shtet i barabartë nuk kuadër të tregut rajonal CEFTA, por vetëm si UNMIK, prandaj sipas tij tashmë duhet të shfrytëzohet rasti të korrigjohet ky nën prezantim, mirëpo që Kosova nuk guxon në asnjë rast ta humb hapin në Procesin e Berlinit.
Prandaj është e domosdoshme që gjenden mënyrat që të shtohet kontrolli ndaj prodhimeve që kanë origjinë nga Serbia, por në të njëjtën kohë, po ashtu është e nevojshme që të ruhet subjektiviteti shtetëror në këto forume rajonale. Me këtë rast, sipas Ramasojat duhet pasur parasysh faktin se Procesi i Berlinit, nuk ka vetëm karakter ekonomik, në formën e ndihmave e subvencioneve, apo formave të pjesëmarrjes në kreditë e buta, por ka edhe efekte politike. Prandaj, Kosova duhet ta gjeje rrugën kritike që t’i shmang pasojat e izolimit dhe t’i mirëmbajë raportet rajonale tregtare dhe ekonomike.
Ai i ka kushtuar rëndësi edhe një deklarate të djeshme të të dërguarit të posaçëm të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, Manuell Sarrazini, që ka pohuar se shumë kompani perëndimore po e përzgjedhin Serbinë për të investuar. Me këtë rast Ramasoj, ka pohuar se tensionet e vazhdueshme politike janë një faktor që e përkeqësojnë klimën e investimeve serioze. Kështu, Kosova si një vend i vogël, me popullsi të vogël dhe me potencial të ulët buxhetor, nuk ka rrugë tjetër ta përmirësojë performancen e saj pos investimeve të jashtme,e të cilat aktualisht janë minore. Në këtë drejtim është e rëndësishme që të ruhen raportet politike dhe diplomatike me shtetet që na kanë ndihmuar, por edhe të kërkohen alternativa të ofrimit të kushteve për kompani të veçanta me qëllim që të investojnë në Kosovë.