Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se Rukiqi, si ekonomist e aktivist i pandalshëm i angazhimit publik, me bagazhin e tij do t’i japë vlerë projektit politik të kësaj partie.
“Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku tha se LDK-ja është e lumtur që sipas tij, si adresë e vetme e njerëzve profesionistë, po shton radhët e veta secilën ditë.
“Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes”, shkroi Abdixhiku.
/TV Arbëria