Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti doli në konferencë për mediet krah trajnerit Sylvinho, në prag të ndeshjes ndaj Kroacisë, takimi i dytë i raundit të grupeve të EURO 2024 për Shqipërinë, që luhet këtë të mërkurë në orën 15:00 në “Volksparkstadion”.
Duke folur për mediet në prag të këtij takimi, mbrojtësi shqiptar u shpreh se Kroacia është favorit në këtë takim, por shtoi se nuk duhen bërë gabimet që u bënë në sfidën me Italinë.
Më tej, Gjimshiti shtoi se duhet të tregohen më inteligjentë në fushën e lojës dhe kur të jetë e nevojshme të ulin ritmin e kundërshtarit.
Sa ndryshon Shqipëria nga Kroacia? “Kroacia është në rolin e favoritit. Besoj që u duk në ndeshjen kundër Italisë, kur kemi përballë kampion siç ishte Italia, çdo gabim i vogël ndikon. Ne duhet t’i përmirësojmë ato episode që të bëjmë më mirë ndaj Kroacisë.”