Belgjika ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat 4-1 në Seattle.
“Djajtë e Kuq” regjistruan fitoren e shtatë radhazi në përballjet direkte ndaj amerikanëve, duke ua mohuar bashkorganizatorëve mundësinë për t’u rikthyer në çerekfinale për herë të parë që nga viti 2002.
Para ndeshjes së fazës së 1/8 së finales, vëmendja kryesore ishte te Folarin Balogun, pezullimi i të cilit për një ndeshje u shty, duke ia mundësuar paraqitjen kundër Belgjikës. Trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino, vendosi ta aktivizonte nga minuta e parë golashënuesin më të mirë të ekipit të tij në këtë Botëror.
Megjithatë, Belgjika e Rudi Garcias e nisi ndeshjen me dominim të plotë. Që pas vetëm 45 sekondash, portieri Matt Freese u detyrua të ndërhynte pas një goditjeje të Timothy Castagne nga rreth 25 metra, duke e devijuar topin në këndore.
Belgjika kërkonte ta mbyllte brenda 90 minutave atë që në vitin 2014 i ishte dashur ta arrinte vetëm pas vazhdimeve, kur kishte eliminuar SHBA-në në të njëjtën fazë. Presioni belg dha rezultat në minutën e nëntë, kur mbrojtja amerikane dështoi ta largonte topin siç duhet. Nicolas Raskin depërtoi në zonë dhe asistoi për Charles De Ketelaere, i cili e shtyu topin në rrjetën e zbrazët për 1-0.
Pak minuta më vonë, Belgjika pësoi një goditje të rëndë, pasi Amadou Onana u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një lëndimi të mundshëm në gju.
Amerikanëve iu desh kohë për t’u futur në ritmin e ndeshjes, por në minutën e 30-të arritën të barazonin. Malik Tillman, i cili kishte shënuar nga goditja e lirë edhe në raundin paraprak kundër Bosnjës, provoi sërish nga rreth 25 metra dhe, falë një devijimi, e dërgoi topin në rrjetë për 1-1.
Gëzimi amerikan zgjati shumë pak. Më pak se dy minuta më vonë, Belgjika riktheu epërsinë. De Ketelaere shënoi golin e tij të dytë personal, duke u ngritur mbi mbrojtësit amerikanë dhe duke realizuar me kokë nga afërsia, pas një topi të harkuar bukur në zonë nga Leandro Trossard.
Pochettino dukej qartë i zemëruar me mënyrën se si skuadra e tij mbrojti në të dy golat e pësuar. Para nisjes së pjesës së dytë, ai bëri një ndryshim ofensiv, duke inkuadruar Giovanni Reynan në vend të Sergiño Destit, i cili pati vështirësi të mëdha në krahun e djathtë të mbrojtjes, nga ku erdhën të dy golat belgë.
Megjithatë, ndryshimi nuk solli shumë reagim te SHBA-ja. Amerikanët vazhduan të dukeshin të ngadalshëm dhe pa ide, ndërsa Belgjika e shfrytëzoi këtë situatë për ta goditur sërish. Në minutën e 57-të, Freese doli gabimisht nga porta për ta mbyllur De Ketelaeren, por topi përfundoi te Hans Vanaken, i cili realizoi me një goditje fantastike nga rreth 35 metra për 3-1.
Me epërsi prej dy golash, belgët e kontrolluan me qetësi gjysmëorën e fundit të ndeshjes. Përvoja e tyre u pa qartë në menaxhimin e rezultatit, ndërsa në fund erdhi edhe goli i katërt. Romelu Lukaku shënoi me një përfundim klinik ndaj një skuadre amerikane të dorëzuar, e cila nuk arriti të krijonte shumë në fazën sulmuese.
Kjo fitore vulosi eliminimin e SHBA-së dhe bëri që të tri vendet nikoqire të Botërorit 2026 të largohen nga gara që në fazën e 1/8 së finales.
Belgjika, megjithatë, nuk ka shumë kohë për festë, pasi në çerekfinale e pret një tjetër sfidë e madhe kundër kampiones së Evropës, Spanjës, në Los Angeles.
Në anën tjetër, aventura e Mauricio Pochettinos me SHBA-në përfundon këtu. Pas këtij eliminimi, pritet të shtohen pikëpyetjet rreth së ardhmes së trajnerit argjentinas, i cili mund të mendojë rikthimin në futbollin e klubeve.