Nëse ka dikush që e ka shprehur më qartë dhe hapur thelbin cinik të politikës dhe pushtetit ndër shqiptarë deri më tani, atëherë ai është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste që paska dhënë për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Me këtë rast, lidhur me pranimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe nga Kryeministri i Kosovës të propozuar nga emisarët perëndimorë, i pari i Qeverisë së shtetit shqiptar në mënyrë metaforike paska deklaruar se “Albin Kurti vetëm tash është bërë kryeministër” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Pra, për të nuk është me rëndësi se çfarë është përmbajta e këtij statuti, por me rëndësi vetëm pranimi. Se ky dokument nëse zbatohet në formën aktuale jo vetëm që nuk e zgjidh problemin e Kosovës me Serbinë dhe as me serbët lokalë, por përkundrazi e zhvendos në premisa krejt tjera, drejt një të ardhmeje të paqartë dhe të errët. Dhe në fund e anulon të drejtën e shtetit të Kosovës që të jetë arbitër final i kërkesave politike të këtij komuniteti në bazë normave të brendshme kushtetuese, duke e zhvendosur atë në instanca mbi sovrane. Natyrisht ai mund të arsyetohet se kjo nuk është detyrë e tij, por e përfaqësuesve politikë dhe e popullit të Kosovës. Dhe nëse këta të fundit pajtohen më këtë solucion, ai nuk ka asnjë përgjegjësi politike, morale dhe kombëtare. Në fund të fundit, jemi dy shtete të ndryshme, ku secili vendos për veten. E vërtetë kjo.
Mirëpo, ajo që është simptomatike në këtë rast është qëndrimi i tij se kur bëhesh kryeministër. Dhe sipas Edi Ramës, këtë pozitë një lider në mënyrë të njëmendtë e siguron, jo kur shpallet si fitues i zgjedhjeve dhe mandatohet nga Kuvendi i Republikës si i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli, por pasi ai fillon dhe e zbaton atë që i ka premtuar elektoratit se nuk do ta bëjë kurrë. Pra, burrështetas bëhesh kur i tradhton mbështetësit dhe votuesit që i kanë besuar kauzës publike dhe mbi ato premtime shoqëria të ka besuar. Thjesht kur vullnetin politik të një shoqërie kundër Asociacionit e tjetërson në një trampolinë për pranimin e tij.
Ky qëndrim i Edi Ramës, mbase nga dëshira për t’i ofruar ngushëllim dhe satisfaksion Albin Kurtit, për shkak të rrethanave të pafavorshme politike që ndodhet nga mashtrimi dhe tradhëtia që ua ka bërë mbështetësve të tij, në vend se të ofrojë rrugëdalje nga kriza është një bekim “romantik dhe poetik” i dy prej instrumenteve kryesore të krizës politike dhe shoqërore ku janë katandisur tash e sa kohë shoqëritë tona.
Kam shkruar edhe më herët, duke u bazuar në teoritë e Hannah Arendt se dy nga shkaqet kryesore të krizave në një republikë janë dhuna dhe mashtrimi. Dhe të dy këto instrumente i ka përdorur Albin Kurti për ta kundërshtuar Asociacionin. Në këtë mënyrë, Edi Rama po thotë se këto cilësi janë të pashmangshme dhe duhet të përjetësohen e të glorfikohen si veti të një lideri. Dhe kështu shoqëritë tona duhet të mësohen se vetëm manipulimi, mashtrimi dhe simulimi janë rruga e vërtetë e politikës dhe e vetmja mundësi për të shijuar e mbretëruar në majat Olimpike të pushtetit. Natyrisht, ai edhe në këtë rast mund të arsyetohet se as kjo nuk është detyrë e tij. Dhe se edhe në këtë rast nuk është fajtor pse një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës ranë pre e një hipnoze populiste kolektive.