Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shqipëri > Begaj dekreton Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit

Begaj dekreton Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e Vlora Hysenit si drejtoreshë të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Dekreti hyri në fuqi menjëherë.

Vlora Hyseni ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit ishte emëruar Petrit Ajeti.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Paraprakisht, ajo ishte drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, më 30 qershor të vitit 2021 e kishin shkarkuar nga detyra Hysenin.

Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.

SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e SHISH-it bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit. Struktura dhe organika e SHISH-it propozohen nga Drejtori dhe miratohet nga Kryeministri. Parimet bazë të punës së këtij institucioni janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka këto detyra kryesore:

– Mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar;

– Kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, pavarësisë e rendit kushtetues;

– Mbledh informacion për terrorizmin, prodhimin e trafikun e narkotikëve, prodhimin e armëve të dëmtimit në masë dhe krimet kundër mjedisit;

– Mbledh informacion për krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare;

– Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, punonjësve dhe pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;

– Kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave për realizimin e funksioneve të mësipërme.

Drejtuesit e SHISH-it ndër vite:

01.08.1991 deri 29.06.1992-Irakli Koçollari

29.06.1992 deri 09.04.1997-Bashkim Gazidede

09.04.1997 deri 29.05.1997-Astrit Kodra (i komanduar)

29.05.1997 deri 21.08.1997-Arben Karkini

21.08.1997 deri 07.08.2002-Fatos Klosi

07.08.2002 deri 18.11.2002-Petrit Myftari (i komanduar)

18.11.2002 deri 27.01.2005-Kujtim Hysenaj

27.01.2005 deri 09.08.2012-Bahri Shaqiri

09.08.2012 deri 30.10.2017-Visho Ajazi Lika

01.11.2017 deri 05.11.2018-Helidon Bendo (ka kryer funksionin)

05.11.2018 deri 23.12.2022-Helidon Bendo

/TV Arbëria

Themes by WordPress