Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bedri Hamza u kërkon qytetarëve besimin më 28 dhjetor: Kosova mundet më mirë – le të hapim kapitullin e ri

Bedri Hamza u kërkon qytetarëve besimin më 28 dhjetor: Kosova mundet më mirë – le të hapim kapitullin e ri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku e ka cilësuar datën 28 dhjetor si moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Ai ka kërkuar besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin drejt, siç tha, stabilitetit, zhvillimit dhe unitetit politik.

Hamza e ka krahasuar votën e 28 dhjetorit me zgjedhjen mes dy rrugëve për vendin.

“Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim”, deklaroi ai në videomesazh.

Duke paraqitur dy alternativat, ai pyeti qytetarët:

“A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një Kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?!”

Kreu i PDK-së u shpreh se ai zgjedh rrugën e parë, duke kërkuar mandatin e qytetarëve.

“Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë”.

Në adresimin e tij, Hamza premtoi formimin e një kabineti profesionale dhe efikas.

“Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie”.

Ai përshkroi gjendjen aktuale në vend si të rënduar nga krizat dhe pasiguria.

“Sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur”.

Hamza u shpreh i bindur se ndryshimi është i mundur.

“Sot, unë dua t’ju them se nuk ka pse të jetë më kështu. Me 28 dhjetor, ju kërkoj një shans për ta hequr këtë mjegull mbi vendin dhe njerëzit tanë”.

Ai shtoi se Kosova meriton më shumë.

“Sepse Kosova mundet ma mirë. Sepse ju meritoni shumë ma mirë. Më jepni mundësinë që të sjell në shërbimin publik njerëzit ma të mirë dhe ma të talentuar që ka Kosova. Ma jepni mundësinë t’i ndryshoj zakonet e viteve të fundit të cilat po e mbajnë peng vendin tonë”.

Duke e mbyllur mesazhin, ai foli për një perspektivë të re dhe më të mirë për vendin.

“Ka një Kosovë ma të mirë përpara nesh. Një Kosovë që është e mundur dhe e arritshme. Një Kosovë stabile. Një Kosovë prosperuese. Një Kosovë të mundësive për të gjithë. Me 28 dhjetor, e hapim kapitullin e ri. Le ta zgjedhim unitetin. Le ta zgjedhim stabilitetin. Le ta zgjedhim mirëqenien për Kosovën”.