Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bedri Elezi: Vuçiq po e paraqet popullin serb si viktimë, kjo dëmton pozicionin e Kosovës në raport me ndërkombëtarët

Bedri Elezi: Vuçiq po e paraqet popullin serb si viktimë, kjo dëmton pozicionin e Kosovës në raport me ndërkombëtarët

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka komentuar deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, pas takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku ky i fundit foli për “rrethana komplekse” të popullit serb, veçanërisht në Kosovë, si dhe për rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në një prononcim për emisionin Arbëria TV, Elezi tha se këto komente janë një përpjekje për ta paraqitur Serbinë si palë konstruktive dhe popullin serb si viktimë.

“Deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se populli serb është në një situatë komplekse, kujtoj se janë një lloj paralajmërimi i asaj që Serbia po mundohet ta konsiderojë se populli serb është viktimë e strukturave të Kosovës,” tha Elezi.

Sipas tij, Serbia po përfiton nga reagimet ndërkombëtare ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës për të ndryshuar perceptimin ndaj saj.
“Ne kemi parë disa reagime të faktorit ndërkombëtar, SHBA dhe BE, në lidhje me veprimet e institucioneve të Kosovës, veprime të cilat po e vendosin Serbinë në një pozicion ndryshe krahas kohës kur Serbia konsiderohej vetëm si një agresor dhe si një shtet që e rrezikonte sigurinë në Gadishullin Ballkanik,” tha Elezi.

Ai paralajmëron se “populli serb në Kosovë po konsiderohet nga SHBA-ja, nga vendet anëtare të NATO-s si një komunitet i cili ka problem sa i përket lirive dhe të drejtave të garantuara.”

Sipas Elezit, kjo strategji e viktimizimit që po ndjek Vuçiq, ka ndikim të drejtpërdrejtë në proceset integruese të Kosovës.
“Fakti që presidenti i Serbisë arrin që të viktimizojë popullin serb në Kosovë si viktimë e pushtetit në Kosovë, e vendos Kosovën në një pozicion jo të mirë në çështjet e marrëdhënieve me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në,” deklaroi ai.

Më tej, ai shton:
“Fakti që Serbia arrin që ta vendos Kosovën në një peshore me Serbinë sa i përket zbatimit të lirive ndaj komuniteteve, një garancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe BE-së para se Kosova të citonte statusin si kandidate për shtet të pavarur, si dhe proceset që lidhen me integrimin e Kosovës në NATO, BE dhe organizata të tjera, mendoj që lëndon jashtëzakonisht shumë angazhimin e Kosovës apo dëmton angazhimin e Kosovës për t’u integruar në organizatat ndërkombëtare.”

Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit për rolin e Serbisë në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, Elezi tha se:

“Serbia, avash-avash, duke shfrytëzuar nga një angazhim jokoherent në politikën e Kosovës, mendoj që po arrin të ripozicionohet si një vend që sjell edhe veprime që lidhen drejtpërdrejt me angazhimet e saj si një shtet i rëndësishëm për NATO-n, BE-në dhe SHBA-në sa i përket çështjeve të sigurisë.”

Ai theksoi se çdo veprim i institucioneve të Kosovës duhet të jetë i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Çdo veprim politik dhe atyre institucioneve të Kosovës dhe vendeve ballkanike lidhur me josigurinë, e ndihmon Serbinë që të marrë pozicionimin e saj si një shtet i rëndësishëm për NATO-n, Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket çështjeve të sigurisë,” u shpreh Elezi.

“Ne duhet të kemi shumë kujdes në veprimet tona, dhe asnjë veprim pa koordinim me SHBA-të, me NATO-n dhe Bashkimin Evropian nuk duhet ndërmarrë, në të kundërtën, pavarësisht faktit që veprimet tona mund të jenë për zbatimin e ligjit, qoftë në çështje që lidhen me siguri, ato mund të dëmtojnë proceset e Kosovës në raport me ndërkombëtarët dhe mund të ndihmojnë gjithashtu Serbinë për të ripozicionuar në çështjet që lidhen konkretisht me interesat e SHBA-ve apo partnerëve të tyre në Ballkan, Gadishullin Ballkanik, Ballkanin Perëndimor,” përfundoi Elezi.