Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për TV Arbëria ka komentuar operacionin e fundit të Qeverisë së Kosovës, i cili u mbështet nga ministritë përkatëse dhe Policia e Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe që veprojnë në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë.
Ai ka theksuar se mbështet çdo veprim të institucioneve të Kosovës që ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe vendosjen e drejtësisë, por ka paralajmëruar për rreziqet që mund të shkaktohen nga veprime të tilla, duke marrë parasysh situatën e sigurisë që mund të eskalojë për shkak të përpjekjeve të Serbisë.
Elezi ka nënvizuar se në këto raste është thelbësore të koordinohen veprimet me partnerët ndërkombëtarë, si SHBA-të dhe NATO-n, për të shmangur justifikimin e aktiviteteve dhunshme serbe dhe grupeve terroriste, të cilat janë shpallur nga Qeveria e Kosovës. Ai ka shtuar se veprimet e institucioneve kosovare duhet të jenë të kujdesshme për të mos i orientojë komunitetin serb në veprime që janë në kundërshtim me ligjin dhe që mund të çojnë në aktet penale.
Në përfundim, Elezi ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë seriozisht për pasojat e mundshme ndërkombëtare që mund të sjellin këto veprime, për shkak të reagimeve të mundshme nga Beogradi dhe Moska. Ai ka kërkuar që çdo operacion i tillë të jetë i koordinuar mirë me institucionet kompetente, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), për të siguruar që nuk do të krijohen kushte që mund të rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe të shtetit.
“Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë shumë seriozisht në rast se veprimet e saj mund të përdoren nga Beogradi zyrtar dhe Moska zyrtare për të ndërmarrë veprime, gjoja për të mbrojtur interesat e serbëve në territorin e Kosovës. Ju i keni parë që mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, zyrat e QUINT-it, SHBA-të si partneri kryesor i zhvillimit dhe mbështetjes së proceseve integruese të Kosovës, NATO si garantuese e sovranitetit të Kosovës, kanë reaguar ashpër se veprimet e institucioneve të Kosovës ishin të ligjshme, por që mund të provokojnë një situatë josigurie. Andaj, në këtë rast ne konsiderojmë që këto veprime nuk janë të koordinuara fillimisht me institucionet e Kosovës, siç janë Prokuroria e Shtetit apo AKI-ja, e cila ka mandat për të analizuar rrezikun që mund të vijë për shkak të angazhimeve që ka Qeveria e Kosovës, më pas edhe çështje të cilat ndërlidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare, e veçanërisht me SHBA-të. Në rast se vazhdojmë të kemi aktivitete që do të ishin në zbatim të ligjit, por që do të krijonin kushte për të justifikuar veprime të dhunshme, në aspektin e sigurisë janë të patolerueshme dhe janë veprime që mund të prodhojnë situata që mund të kenë cenim të sigurisë së Kosovës apo cënim të sigurisë kombëtare”, ka thënë eksperti i sigurisë, Bedri Elezi. /TV Arbëria