Eksperti i sigurisë Bedri Elezi në emisionin “ARB Debat” me Rid Berishën ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA.
Elezi: Si rezultat i Kurtit është pezulluar Dialogu Strategjik – nën sanksion edhe BE-ja me bekimin e SHBA-ve
Elezi thekson se, si rezultat i veprimeve të Kurtit, është pezulluar Dialogu Strategjik nga SHBA-të.
“Si rezultat i aktiviteteve të Kurtit, kemi pezullim të Dialogut Strategjik, kemi Kosovën në sanksione, dhe pa bekimin e SHBA-ve, sigurisht Kosova nuk do të ishte vendosur në sanksione nga BE-ja, kur edhe vetë SHBA-ja e ka vendosur në sanksione”
Eksperti i sigurisë në “ARB Debat” thekson se Qeveria Kurti po vazhdon të prishë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së
“Dhe kjo është ajo që realisht është Kurti dhe Qeveria e Kurtit. Ajo që realisht ata kanë punuar një kohë të gjatë dhe po vazhdojnë ta bëjnë, që marrëdhënia e Kosovës dhe SHBA-së të rëndohet deri në atë pikë ku ndoshta pasojat do mund të jenë edhe më të paevitueshme”
Elezi: Kurti ka një hall të madh, ka mjaft ngarkesa – uroj mos ta ketë detyra…
“Ky ka një hall të madh, kryeministri i Republikës së Kosovës ka mjaft ngarkesa, uroj të mos ketë detyra. Të paktën kemi pasur akuza publike nga politikanë në Kosovë dhe njerëz të ndryshëm, se kryeministri i Kosovës është parë në veturë me zyrtarë të BIA-s serbe. Ne e dimë që kryeministri i Kosovës e ka mohuar një fakt të tillë, por janë publikuar edhe të dhëna të sakta nga politikanë e të tjerë në lidhje me atë rast. Unë dëshiroj që kjo të mos qëndrojë”
“Deklaratat e Kurtit në SHBA, nuk ka guxim t’i thotë asnjë nga liderët më të fuqishëm, as Putini”
Ai tutje thekson se Kurti është i tepërt në deklarimet e tij të fundit në SHBA.
“Por deklaratat e kryeministrit të Republikës së Kosovës në SHBA nuk ka guxim t’i thotë asnjë nga liderët më të fuqishëm në botë, madje as vetë Putini, i cili është në luftë haptas me SHBA-në”
Elezi: Pa SHBA-në nuk do ta kishim lirinë – vetëm dikush që ka detyra të caktuara mundohet t’i prishë marrëdhëniet…
“Pa SHBA-në nuk do ta kishim lirinë sot, pa SHBA-në nuk do të arrijmë aty ku duhet të arrijmë, prandaj vetëm dikush që ka detyra të caktuara mundohet me ndal karvanin”
Bedri Elezi rithekson edhe në këtë intervistë se Albin Kurti ka qenë subjekt hetimi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
“Fakti që AKI-ja e kishte subjektivizuar si një subjekt i cili ka angazhime konkrete për ta rrezikuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, unë dua me besu që AKI-në në atë kohë nuk e ka pasur qëllimin kundër një personi të caktuar, por ka pasur prova, dëshmi dhe argumente se personi në fjalë mund të dëmtojë vërtetë marrëdhënien e Kosovës me partnerët”