Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka ngritur alarmin mbi rrezikun në rritje që paraqet Rusia për stabilitetin global dhe veçanërisht për rajonin e Ballkanit.
Në një intervistë në emisionin ARB Debat në TV Arbëria, me Rid Berishën, ai theksoi se Ballkani, së bashku me shtetet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndodhen në një situatë të pasigurt për shkak të politikave dhe veprimeve agresive të Federatës Ruse.
“Rusia mbetet rrezik serioz për botën dhe për vendet e gadishullit Ballkanik. Po shkojmë drejt një situate të rëndë josigurie për shkak të qasjes dhe angazhimeve të Rusisë, të cilat kanë për qëllim cenimin e sigurisë së vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së” tha Elezi.
Sipas tij, vendet në kufi me Rusinë, përfshirë ato të rajonit, janë të pasigurta dhe se prezenca e ushtrisë amerikane në rajon është thelbësore për të parandaluar zgjerimin e ndikimit dhe kontrollit rus.
“Prezenca e ushtrisë amerikane garanton moszgjerimin e zonave të ndikimit të Rusisë. Çdo përpjekje për të minuar këtë prezencë është kundër interesave të sigurisë,” shtoi ai.
Kritika për qeverinë Kurti dhe Presidenten Osmani
Në vijim të deklaratës së tij, Elezi kritikoi ashpër qeverinë në detyrë të Kosovës dhe veçanërisht Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, duke i lidhur ata me veprime që, sipas tij, bien ndesh me interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria në detyrë dhe vet Kurti nuk kanë pasur marrëdhënie me SHBA-të. Kjo është shumë shqetësuese, sepse ndikon drejtpërdrejt në aspektin e sigurisë së Kosovës. Pa angazhimin serioz të SHBA-ve, siguria në Kosovë është e cenueshme” deklaroi Elezi.
Ai shtoi më tej se çdo tentativë për të minuar rolin e SHBA-ve në Kosovë është një veprim kundër partneritetit strategjik, veçanërisht në raport me të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.
Osmani dhe Kurti, subjekt i hetimeve të AKI-së?
Bedri Elezi tutje jep “bombë” ku flet për një pretendim serioz, se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë qenë subjekt hetimi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në kohën kur ai vetë ka qenë pjesë e operacioneve operative të agjencisë.
“Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë qenë subjekt i AKI-së. Dyshohej se kishin angazhime konkrete kundër SHBA-së, për të minuar shërbimin dhe angazhimin amerikan në Kosovë,” tha Elezi.
Ai pretendon se gjatë kohës kur ka operuar në AKI, kanë ekzistuar kërkesa operative që lidhnin presidenten dhe kryeministrin me aktivitete të cilat, sipas tij, bien ndesh me politikat e SHBA-së për demokraci dhe sundim të ligjit në Kosovë. /TV Arbëria