Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), duke i cilësuar përplasjet publike brenda institucionit të ndjekjes penale si një “alarm serioz për sigurinë kombëtare”.
Elezi ka thënë se situata bëhet edhe më shqetësuese në një kohë kur, sipas tij, Kosova përballet me luftë hibride, raste të dyshuara të spiunazhit, kërcënime nga Beogradi zyrtar, krizë politike, pasiguri ekonomike dhe rritje të dhunës.
Ai ka ngritur pyetjen nëse sistemi i drejtësisë po funksionon plotësisht në mbrojtje të sigurisë së shtetit, duke iu referuar përplasjes mes Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe anëtarëve të KPK-së.
“Sot Kosova nuk ka nevojë për përplasje institucionale. Ka nevojë për veprim, koordinim, përgjegjësi dhe rezultate”, ka shkruar Elezi.